Vendosni fjalën kyçe....

Peticioni i nënshkruar për djegien e mbeturinave, Dredhaj: Po punojmë për zgjidhjen


Kryetari i Bashkisë së Vlorës Ermal Dredhaj takoi sot përfaqësues të shoqërisë civile mbi peticionin e nënshkruar për djegien e mbeturinave në zonën e vendgrumbullimit të qytetit. Ai e cilësoi si një problem të trashëguar që ka pasur vëmendjen e tij që në ditën e parë. Dredhaj bëri me dije se është ngritur një grup pune për monitorimin e situatës.

Në një postim në Facebook, ai shprehet:

Sot pata një bisedë me përfaqësues të shoqërisë civile për peticionin e nënshkruar për djegien e mbetjeve në zonën e grumbullimit të qytetit.

Çështja që shtrohet është e drejtë. Po aq i natyrshëm është edhe shqetësimi i publikut për ndikimin e ndotjes në shëndetin e qytetarëve dhe mjedisit.
Ky problem i trashëguar ndër vite ka qenë në vëmendjen time që nga dita e parë në drejtimin e Bashkisë Vlorë.
Kam ngritur një grup pune të posaçëm, i cili monitoron vazhdimisht situatën e krijuar, me qëllim parandalimin dhe kontrollin e përkeqësimit të mundshëm të pasojave të djegies së paligjshme të mbetjeve.
Po punohet për rehabilitimin e landfillit, njëkohësisht duke nisur procesin e përpunimit të duhur të mbetjeve në landfillin e qytetit, në Sherishtë.
Jam i bindur se ndërhyrjet e planifikuara do ta ndryshojnë rrënjësisht, shpejt dhe ndjeshëm situatën!