Vendosni fjalën kyçe....

PROFIL-Kush është Edit Shkreli, gjyqtarja e parë shqiptare që zgjidhet në New York


Edit Shkreli

Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po provojnë gjithnjë e më shumë se vetëm me punë dhe angazhim mund të jenë pjesë e institucioneve më të rëndësishme në këtë vend. Kjo është vërtetuar së fundmi nga Edit Shkreli, e cila u zgjodh gjyqtarja e parë shqiptare në New York, nga Gjykata Civile në Bronx.

Para se ëndrra e saj e madhe të realizohej, Edit Shkreli punoi si avokate me përvojë në New York, ku klientët e saj të preferuar ishin shqiptarët.

Në vitin 2011, Edit Shkreli përfundoi studimet për drejtësi në New York Law School, duke u diplomuar si ‘Juris Doctor, Cum Laude’. Pas disa muajsh, ajo kaloi një nga provimet më të vështira të licencimit, Provimin e Barit të Shtetit të New York-ut.

Gjithashtu, Edit Shkreli ka punuar për më shumë se tetë vjet pranë Gjykatave të Bronxit dhe White Plains, kryesisht për çështje tregtare, divorce dhe raste të tjera.

Ajo zotëron njohuri të larta ligjore, të cilat së bashku me përvojat e saj e bëjnë atë të kualifikuar për të marrë vendime të drejta për komunitetin në tërësi. Përveçse është avokate me përvojë, ajo është edhe lektore e përkushtuar në mësimdhënie, profesion që e ushtron në ‘New York Law School’ që nga viti 2019.

Përveç anës profesionale, Edith Shkreli ka dhënë dhe vazhdon të japë kontributin e saj në komunitetin shqiptar, ku është anëtare e Bordit të Komunitetit të Bronxit dhe është gjithashtu anëtare e Bordit të organizatës jofitimprurëse, ‘Neighborhood Initiatives Development Inc’. dhe ‘Shoqata e Edukatorëve Shqiptaro-Amerikanë’.

Për gjithë angazhimin e saj në komunitetin shqiptar, ajo shpesh quhet ‘Udhëheqësja e Komunitetit Shqiptaro-Amerikan’. Edit Shkreli lindi në Shkodër, por migroi në Amerikë me prindërit e saj kur ishte vetëm 13 vjeç. E gjithë kjo për t’i shpëtuar trazirave të marsit të vitit 1997 në Shqipëri.