Vendosni fjalën kyçe....

Protesta për dhunimin e 3-vjeçares, Xhixho: Jo vetëm edukatorja edhe Ministria e Arsimit e Policia fajtorë


Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka reaguar në mbështetje të protestës së qytetarëve përballë Ministrisë së Arsimit për rastin e dhunës ndaj 3-vjeçares në një kopsht ilegal.

Xhixho shkruan se ngjarja nuk ka vetëm një fajtor. Sipas saj çdo përpjekje për të mbuluar ngjarje të tilla të rënda bën fajtor gjithë ata që janë pjesë e zinxhirit edukues.

Fajtorë sipas Xhixhos janë ministria, që mbyll sytë para institucioneve të tilla, Policia e Shtetit që duhej të niste hetimin që në momentin që vajza u paraqit në spital me plagë si dhe kolegët dhe drejtuesit e kopshti.

“Nuk do të heshtim kurrë për fëmijët tanë! Në protestën kundër dhunës sot para Ministrisë së Arsimit.

Ngjarja e rëndë në një kopsht të Tiranës, ku një vajzë vetëm 3 vjeç u dhunua nga edukatorja, njeriu të cilit prindërit çdo ditë i besojnë gjënë më të shtrenjtë, duhet të na shërbejë si kambanë alarmi.

Është e patolerueshme dhe duhet ndëshkuar çdo formë abuzimi në institucionet arsimore publike apo private. Çdo përpjekje për të mbuluar ngjarje të tilla të rënda i bën bashkëfajtorë të gjithë ata që janë pjesë e zinxhirit edukues.

Sot fajtore nuk është vetëm edukatorja e dhunshme, por edhe koleget, drejtuesit e kopshtit dhe ministria që mbyll një sy para institucioneve të tilla që veprojnë hapur në shkelje të ligjit.

Sot fajtore është Policia e Shtetit, e cila duhej të niste verifikimet që në momentin që vajza u paraqit në spital me plagë.

Duhet drejtësi dhe ndëshkim për çdo edukator apo mësimdhënës abuzues, çdo institucion ku dhuna gjen hapësirë, çdo punonjës publik që neglizhon ngjarje të tilla të rënda.

Sot zëri i prindërve të vogëlushes 3-vjeçare është zëri i të gjithëve ne!”-shkruan Xhixho.