Marrëveshja mes kryeministres italiane Meloni e atij shqiptar Rama për ndërtimin në Shqipëri të një kampi për emigrantët që kapen në det, ka ngjallur debate të shumta politike në Itali e Shqipëri si dhe reagim publik.
Italia është një nga vendet më të synuara nga emigrantët, kryesisht afrikanë që zbarkojnë në brigjet italiane për të qëndruar aty ose për të synuar futjen më thellë në vendet e tjera të BE-së.
Shqipëria, ku parashikohet të ndërtohen një kamp në Gjadër, rezulton se nuk parapëlqehet nga azilkërkuesit, pavarësisht kontinentit nga vijnë.
Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT në vitin 2018-2019, në Shqipëri kanë kërkuar azil 6557 persona, që ka shënuar një rritje 49.5% krahasuar me vitin 2018.
Azilkërkuesit me origjinë nga Iraku dhe Siria kanë zënë 62,4 % të azilkërkuesve gjithsej në vitin 2019 me 2.408 azilkërkues nga Iraku dhe 1.682 azilkërkues nga Siria.
Megjithatë në vitin 2021, në Shqipëri kanë kërkuar azil 2553 persona, rritje krahasuar me numrin e azilkërkuesve në vitin 2020 me rreth 13.5%.
Pjesa dërrmuese e azilkërkuesve në këtë periudhë ishin me origjinë nga Afganistani, që përkon me ardhjen në pushtet të talebanëve dhe largimit masiv të një pjese të madhe afganësh. Ata përbënin 98,6 % të azilkërkuesve gjithsej në 2021, 2.498 persona.
Megjithatë numri i azilkërkuesve në vitin 2021 është ulur mjaft krahasuar me periudhën 2018-2019 kur numri ishte 6557.
Viti 2019 shënon numrin më të madh të azilkërkuesve, ndërsa vitet 2018, 2020 e 2021 numrat kanë qenë më të ulët. /Hashtag.al