Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar pas operacionit “Sundimi i ligjit” ku u kapën shtetas të shpallur në kërkim dhe që qarkullonin me armë zjarri dhe të atyre që mbajnë në banesë armë, municion ose lëndë narkotike.
Sipas Ballës ky operacion sapo ka filluar dhe po vijon intensivisht.
Reagimi i plotë:
Policia e Shtetit i ka dhënë udhë sot në orën 04.00 Operacionit Kombëtar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri dhe të atyre që mbajnë në banesë armë, municion ose lëndë narkotike.
Në orët e para të këtij operacioni u përfshinë 1852 punonjës policie, nga Forca e Sigurisë Kombëtare, Reparti Special “RENEA”, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe strukturat e drejtorive vendore të Policisë.
Deri në orën 12.00 janë arrestuar 20 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar dhe 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për vepra të rënda penale.
Deri në orën 12.00 janë arrestuar në flagrancë 5 shtetas, për armëmbajtje dhe posedim lëndësh narkotike.
Deri në orën 12.00 janë sekuestruar 9 armë dhe sasi të konsiderueshme municion luftarak.
Deri në orën 12.00 janë sekuestruar sasi lënde narkotike cannabis sativa dhe kokaine, si dhe shuma parash në lekë dhe në euro, të përfituara nga veprimtaritë kriminale.
Prova e parë e Forcës së Sigurisë Kombëtare po ecën me sukses, ndërsa ky Operacion sapo ka filluar dhe po vijon intensivisht.