Vendosni fjalën kyçe....

Personazhet publikë që SPAK po heton në Shqipëri


Prokuroria Speciale po heton një sërë personazhesh publikë në vend.

Një pjesë prej tyre kanë dalë në gjyq e janë dënuar, ndaj disa të tjerëve ka akuza e janë nën hetim.

Po kush janë personazhet publikë që po hetohen nga SPAK.

Ish-kryeministri Berisha është nën hetim nga SPAK për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Parizani. Hetimi ndaj tij vjen pas një kallëzimi të bërë nga Tauilant Balla në vitin 2020, ndërsa për dosjen në fjalë është arrestuar, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Berisha akuzohet se  në cilësinë e kryeministrit ka kryer veprime konkrete me miratime ligjesh dhe aktesh nënligjore, nga të cilat përfitoi dhëndri i tij në privatizimin e ish-kompleksit sportiv Partizani.

Ai është thirrur disa herë nga gjykata për t’u paraqitur po deri tani kjo gjë nuk ka ndodhur me avokatët e tij që kanë kërkuar përjashtimi  e gjyqtares Irena Gjoka. Kreut të Rithemelimit i ndalohet dalja jashtë vendit pasi i është bllokuar pasaporta.

Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është gjithashtu nën hetim nga SPAK edhe pse ndodhet në arrati e është shpallur në kërkim. Ai akuzohet për mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv  e pastrim parash. Aktualisht Ahmetaj ndodhet jashtë vendit ndërsa i ka mohuar akuzat ndaj tij si të pabaza.

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, ndodhet në burg pasi akuzohet për shpërdorim detyre lidhur me dy raste. Një të dhënies së lejes për ndërtimin e një pallati në Durrës dhe për një tender për bërjen e një projekti për zhvillimin e vijës bregdetare.

Ish-ministrja e ish-drejtoresha e ARRSH-së Sonila Qato është gjithashtu nën hetim nga SPAK. Ajo akuzohet për shpërdorim detyre e pabarazi në tendera pas një kallëzimi nga një kompani ndërtimi.

Ish-drejtoresha e Kadastrës Durrës Rajmonda Dashi u arrestua pak javë më parë. Ajo akuzohet si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Sipas SPAK-ut, Dashi akuzohet se ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin me qëllim pastrimin e të ardhurave që janë përfituar nga kryerja e aktivitetit kriminal.

Ish-kryebashkiakut të Kukësit Safet Gjici iu kominukua dje akuza zyrtare lidhur me videoskandalin seksual në zyrën e tij. Fillimisht ai u akuzua për shpërdorim detyre por me daljen e videos së dytë, akuza ndaj tij ndryshoi.

Ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj po hetohet gjithashtu nga SPAK për koncesionin e sterilizimit. Ai akuzohet për falsifikim dokumentesh e shpërdorim detyre për koncesionin në fjalë.

Dhëndri i ish-kryeministrit Berisha Jamarbër Malltezi ndodhet në qeli në përfundim të hetimeve ndaj tij. Ai u arrestua në aeroportin e Rinasit më 22 tetor. Malltezi po hetohet për të njëjtën çështje si Berisha, privatizimi i ish-kompleksit Partizani. Ai po hetohet për korrupsion e pastrim parash.

Ish-zyrtarë të cilët janë dërguar së fundmi për gjykim nga SPAK janë ish-kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla, kryebashkiaku i Rrogozhinës Edison Memolla e ish-shefja e kabinetit të ish-zv.kryeministrit Ahmetaj, Alda Klosi.