Vështirësitë e punës së gazetarëve në Shqipëri dhe në rajon u bënë temë kryesore në tubimin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, ku më të spikaturit mes tyre u nderuan me çmimet vjetore.
Drejtuesi i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bruce Berton, theksoi se gazetarët shqiptarët shqiptarë punojnë nën kërcënime, dhe klimë të tensionuar përballë sfidash të shumta.
Krahas kërcënimit të gazetarëve, u tha në tubim, liria e medias vuan nga kufizime, që vijnë prej lidhjeve të politikës me biznesin, nga transparenca e pakët, përqëndrimi i pronësisë së tyre.
Në tubimin vjetor të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, drejtuesi i Pranisë së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Bruce Berton tha se mediat kanë marrë së fundi goditje dhe presione, që kanë patur ndikim në bashkësinë e gazetarisë.
Ai shtoi se OSBE-ja i ka ndjekur me shqetësim dhe ka kërkuar trajtimin e ngjarjeve kërcënuese si dhe përmirësimin e kushteve të punës së gazetarëve, duke kujtuar se nuk ka siguri pa media të lira dhe se si një vend anëtar i OSBE-së, Shqipëria ka angazhime për të siguruar hapësirat e punës së gazetarëve.
“Gjatë kohës time të shkurtër në Shqipëri kam vërejtur një klimë të tensionuar pune mbi gazetarët, kërcënime dhe sfida të shumta që ata duhet të përballojnë. Mbi të gjitha është i kërcënuar respekti për vet profesionin e gazetarit”, tha ambasador Berton i Pranisë së OSBE-së.
Ai kujtoi se Shqipëria po punon shumë për të arritur anëtarësimin në BE, dhe gazetaria e lirë është një nga kërkesat kryesore për të përparuar në këtë drejtim, shkruan VOA.
Ambasadori Berton citoi disa pjesë nga raporti i fundit i Bashkimit Europian se “me lirinë e medias në Shqipëri është bërë një përparim i kufizuar”, se “ekzistojnë lidhje mes interesave të politikës dhe atyre të biznesit në dëm të medias”, “transparencë e pakët sa i takon financimeve”, “përqëndrim i pronësisë së mediave”, ku përmenden edhe kërcënimet dhe kushtet e dobëta të punës së gazetarëve.
“Edhe në zgjedhjet e fundit vëzhguesit theksuan se gazetarëve nuk iu lejua hapësira e mjaftueshme për të ndjekur fushatën zgjedhore, ndërsa redaksive u dërgoheshin materiale të parapërgatitura nga partitë, një zhvillim jo i mirëpritur ky”, tha ambasadori Berton.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj kurajoi gazetarët që të mos dorëzohen përpara kërcënimeve dhe t’u përgjigjen vështirësive me punë këmbëngulëse profesionale e qytetare.
“Përsërit edhe një herë mbështetjen time maksimale për ju. Raste të dhunës fizike ndaj gazetarëve duhet t’u përkasin një kapitulli të mbyllur, njësoj si rastet kur cënohet liria profesionale dhe e të shprehurit nëpërmjet presioneve direkte apo indirekte”, tha presidenti Begaj.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndau sot çmimet vjetore për gazetarët më të mirë nga Shqipëria, Kosova, dhe Maqedonia e Veriut Julian Hoxha, Entela Bajramaj, Zenel Miftari, Sanije Jusufi, Thimi Samarxhiu, Milaim Krasniqi pas vdekjes, si dhe Osman Stafa.
“Është sfidë e vështirë sot të bësh gazetarin teksa kolegët përballen me dhunë fizike në terren, përballen me kërcënime, me mosdhënie informacioni nga institucionet shtetërore. Është një betejë e përditshme, të cilët duan vërtet të bëjnë këtë punë. Shqipëria është nga ato vende ku gazetaria nuk është thjesht një punë, por është dhe duhet të jetë një mision”, tha gazetari i Televizionit News 24, Osman Stafa, që u nderua me çmimin “Reporteri i Vitit”.
Unioni i Gazetarëve i dha çmimin e karrierës dr. Elez Biberaj, drejtor i sektorit të Euroazisë në Zërin e Amerikës, për punën e tij “profesionale e të suksesshme në disa dekada si gazetar, ekspert, studiues dhe analist”, duke marrë vlerësime maksimale për informimin e saktë “dhe ndikimin e fuqishëm publik në opioninbërjen ndërkombëtare dhe atë kombëtare shqiptare”, si dhe “për reputacionin e lartë, që gëzon në bashkësinë e gazetarëve ndërkombëtarë”.
Çmimi i karrierës iu dha edhe gazetarit Agustin Palokaj, i cili theksoi përgjegjshmërinë e vet gazetarëve në detyrë.
“Edhe ne gazetarët, kur kërkojmë lirinë e shprehjes, duhet të ndjejmë përgjegjësinë tonë kur raportojmë. Është një thënie se kur gabojnë mjekët, gabimin e tyre e mbulon disi dheu, por kur gabon gazetari ajo mbetet dhe mund të ketë pasoja. Gabimi i qëllimshëm i gazetarit, lajmi I rrejshëm, mund të jetë edhe një lloj helmi”, tha zoti Palokaj.
Ndërsa drejtuesi i Unionit të Gazetarëve Shqipëtare, Aleksandër Çipa, pohoi se organizata përpiqet të mbështesë meritokracinë dhe gazetarinë profesionale, edhe pse tregu i mediave është në çrregullim dhe anarki.
“Ne përpiqemi të adresojmë ndihmesën e kolegëve, e cila bazohet më së pari në sakrificën për të realizuar një raportim kurajoz dhe të thelluar, në ambicjen për një kualifikim dhe përmirësim të cilësisë së punës në gazetari dhe mbi të gjitha për të respektuar shtyllat e fuqishme morale dhe të besueshmërisë publike”, tha zoti Çipa.
Shqipëria është angazhuar për të siguruar lirinë e shtypit, u theksua në takim, dhe mbështetja e vazhdueshme dhe theksimi irëndësisë, që ka liria e medias nga qeveria shqiptare është një kurajim më shumë gjatë periudhe.
Por përpjekjet për të përmirësuar gjendjen aktuale duhet të kryhen nga të gjithë anët, thanë folësit, nga vet mediat, nga institucionet publike, shoqëria civile, partnerët e qeverisë si dhe bashkësia e donatorëve ndërkombëtarë.