Ambasadori i BE, Luigi Soreca, i dorëzoi sot Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla Raportin e KE të vitit 2023 për Shqipërinë.
Soreca u shpreh se ky është një Raport shumë i mirë, për arritjet dhe sfidat.
“Të gjithë duhet të jemi krenarë për punën e dymbëdhjetë muajve të fundit dhe që Shqipëria i përmbushi me sukses detyrat e procesit screening. Ka vërtetë probleme e vështirësi, por ato janë të kapërcyeshme. Të gjithë duhet të punojmë që ky momentum të mos humbasë dhe integrimi evropian të mbahet në krye të agjendës kombëtare. Integrimi është përmbi interesat politike e partiake dhe mbështetja popullore, më e madhe se në çdo vend të rajonit, është një frymëzim dhe një detyrim për të gjithë. Avancimi i reformave, sidomos reformës në drejtësi, po jep rezultate të dukshme dhe po kontribuon në rritjen e shpejtësisë së integrimit evropian.”, tha Soreca.
Kryetarja Nikolla falënderoi Ambasadorin Soreca për Raportin dhe vlerësimet dhe nënvizoi se Kuvendi dhe institucionet e Shqipërisë do të analizojnë me kujdes të gjitha shqetësimet dhe rekomandimet e Raportit.
“Kuvendin, Komisionin për Çështjet Evropiane dhe Këshillin Kombëtar të Integrimit Evropian i pret një punë e madhe dhe detyra konkrete. Do të fillojmë menjëherë nga puna për hartimin e Planit të Veprimit, me masa e detyra konkrete, me afate të përcaktuara, për të adresuar rekomandimet. Do të monitorojmë me kujdes zbatimin e rekomandimeve të Raportit, në seanca dëgjimore me institucionet dhe shoqërinë civile. Kuvendi do të vijojë të monitorojë Qeverinë dhe institucionet e pavarura në adresimin e rekomandimeve të Raportit.” tha ajo.