Vendosni fjalën kyçe....

SPAK-u kërkon 309 milionë lekë shtesë në buxhetin e 2024-ës, Dumani: Punojmë tej kapaciteteve


Kreu i SPAK Altin Dumani kërkoi 309 milionë lekë shtesë në buxhetin e 2024-ës për ambientet e reja të punës. Në diskutimin për buxhetin në Komisionin e Ligjeve, kryeprokurori kërkoi që paratë e planifikuara si të ndara në 2 vitet e ardhshme të jepen brenda vitit 2024, pasi prokuroria e posaçme është në emergjencë për ambiente pune.

Për të zgjidhur këtë problem SPAK mori një tjetër godinë ngjitur me zyrat ekzistuese në rrugën “Jordan Misja” por që ajo të vihet në funksion të SPAK dhe BKH, nevojiten investime. Kreu i SPAK, Altin Dumani, kërkoi në Komisionin e Ligjeve, shtesë buxheti 309 milionë lekë për vitin 2024 që institucioni të funksionojë si duhet, ndërkohë që Ministria e Financave ka parashikuar alokim fondesh të ndarë për vitin 2024 dhe pjesën më të madhe në 2025-ën.

“Është bërë një ndarje, një pjesë në vitin 2024, një pjesë në vitin 2025. Bëhet fjalë për një godinë që na është dhënë neve në përdorim dhe kemi nevojë për fondet buxhetore që ta kthejmë funksionale brenda vitit 2024. Vazhdojmë punojmë tej kapaciteteve, shumë persona në një zyrë dhe nuk plotësojë stafin sepse nuk kemi realisht ambiente ku të vendosim punonjësit tanë.”-tha Dumani.

Kryetarja e komisioni, Klotilda Bushka, e sheh të nevojshëm shtimin e parave në buxhetin që aktualisht është parashikuar 1.5 miliardë lekë për SPAK.

“Ne e shohim që kjo kërkesë e SPAK të merret në konsideratë, gjithsesi duhet rakordim me sugjerimin që do i bëjmë Komisionit të Ekonomisë.”-tha Klotilda Bushka.

Fonde shtesë në buxhetin e vitit 2024 kërkoi edhe Prokuroria e Përgjithshme, për efekt pagash pasi sipas saj ka vështirësi në dhënien e një pjese pagash magjistratësh që kanë përfituar nga rritjet e fundit.