Vendosni fjalën kyçe....

Basha vizitë në Londër, takim me lordin David Richards: E informova mbi propozimin tonë për vetting-un e politikanëve


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ndodhet në Londër, ku është takuar me lordin David Richards.

Basha nëpërmjet një postimi, shkruan se është diskutuar në lidhje me SPAK dhe vettingun në politikë.

Gjithashtu ai thotë se diskutimet ishin edhe mbi situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, dhe sfidat aktuale pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

‘Kënaqësi të takoja sot në Londër, Lordin David Richards, së bashku me Sekretarin për Sigurinë Kombëtare dhe koordinimin Euro-Atlantik në PD, Xhemal Gjunkshin.  Gjatë takimit diskutuam për një sërë sfidash me të cilat po përballet Shqipëria, Ballkani Perëndimor dhe komuniteti Euro-Atlantik sot.

U ndalëm tek përpjekjet e SPAK-ut, në luftën kundër korrupsionit dhe domosdoshmërinë për të çuar përpara drejtësisë këdo që ka abuzuar me paratë e shqiptarëve. E informova mbi propozimin tonë të depozituar tashmë në parlament për vetting-un e politikanëve, një nismë që synon të largojë nga politika politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Diskutuam për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, dhe sfidat aktuale pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, përpjekjet e vazhdueshme për ndarjen dhe destabilizimin e Bosnje Hercegovinës nga Dodic dhe koalicioni i ri qeverisës në Malin e Zi, ku në përbërje të saj janë persona të njohur për qëndrimet e tyre destruktive dhe lidhjet me Moskën. Theksova domosdoshmërinë, që Kosova të nisë sa më parë procesin e anëtarsimit në NATO dhe në funksion të paqes së qëndrueshme në rajon, hapjen e këtij procesi përmes heqjes së pengesave nga 4 vendet anëtare që akoma nuk e kanë formalizuar njohjen e saj.

U ndalëm edhe te agresioni rus në Ukrainë dhe pasojat që ka shkaktuar ai. Lordi Richards mirëpriti avancimin e rezolutës mbi Mbështjen e Rindërtimin të Ukrainës, në Këshillin e Europës.

E falenderova Lordin Richards për kontributin që Britania e Madhe ka dhënë për Shqipërinë në momente të rëndësishme për vendin. Partia Demokratike duke e konsideruar Britaninë e Madhe një aleat strategjik, është e angazhuar që me miqtë e saj në këtë vend, të kontribuojë për avancimin e të drejtave të shqiptare kudo ku ata jetojnë.‘- shkruan Basha.