Korporata Elektroenergjetike Shqiptare parashikon që plotësimi i furnizimit me energji në vend të bëhet nëpërmjet importeve, nëse kushtet e motit nuk përmirësohen. Në një intervistë për “Monitor” thuhet se bazë për pritshmëritë apo parashikimet në vijim është gjithmonë mesatarja shumëvjeçare e në varësi të faktorëve që shfaqen, merren edhe masat momentale
Nëse shirat nuk përmirësojnë situatën hidrike, duket se opsion në tryezë mbeten importet. “KESH sh.a. analizon situatën aktuale, si dhe llogarit sipas një mesatareje shumëvjeçare prurjet në kaksadën e Drinit për periudhën vijuese, ku rezulton që në kushtet kur hyjmë edhe në stinën e dimrit (me një rritje të konsumit për shkak të uljes së temperaturave) një pjesë e energjisë që KESH sh.a. nuk e mbulon nga prodhimi i kaskadës do të duhet ta importojë/blejë në tregun e lirë me qëllim përmbushjen e detyrimit për shërbim publik”, – nënvizon KESH.
Në kushtet kur KESH është i ngarkuar me sigurimin e furnizimit me energji, si po sigurohet kjo energji, pra kombinimi prodhim dhe blerje në tregun e lirë?
Gjashtëmujori i parë i vitit 2023 u karakterizua me reshje shiu dhe temperatura mbi mesataren shumëvjeçare, duke bërë që të mos kishim akumulim bore nëpër male, e cila do të përkthehej në periudhën vijuese në rezervë energjetike.
Në këtë gjashtëmujor të parë, KESH sh.a. menaxhoi situatën hidroenergjetike, duke plotësuar të gjithë kërkesën e shoqërisë OSHEE Grup dhe OST.
Ndërsa në gjashtëmujorin e dytë, periudha korrik-shtator 2023, është karakterizuar me temperatura mbi mesataren shumëvjeçare (muaji korrik arriti në temperatura shumë të larta në nivel global) si dhe mungesë të reshjeve të shiut, duke sjellë në këtë mënyrë ulje të prurjeve në liqenet e kaskadës së Drinit.
Për këtë periudhë, KESH sh.a., sasinë e energjisë për furnizimin e OSHEE Group dhe OST sh.a. e ka plotësuar nga prodhimi i kaskadës, si dhe nga importi i energjisë elektrike.
Situata më e mirë hidrike në pjesën e parë të vitit dhe menaxhimi që i bëri KESH siguroi furnizimin e vendit deri vonë duke kufizuar blerjet në tregun e lirë që kanë nisur së fundmi. Si është situata në kaskadë në lidhje me nivelet dhe rezervën energjetike dhe a mendoni se do të ndryshojë pozitivisht në afatshkurtër?
Periudha e vjeshtës, sipas të dhënave mesatare shumëvjeçare, përkon me kushte meteorologjike me temperatura mesatare dhe e lagësht. Jemi në fillim të muajit të tretë të vjeshtës, dhe kushtet meteorologjike deri më tani janë karakterizuar me temperatura mbi mesataren shumëvjeçare, duke sjellë që konsumi të vijojë të qëndrojë në vlera mbi mesataren dhe me reshje të pakta shiu, të cilat nuk kanë sjellë asnjë ndikim në rezervën hidroenergjetike të kaskadës së Drinit.
KESH sh.a. do të menaxhojë në dinamikë situatën hidroenergjetike dhe do të marrë masat e duhura për të siguruar plotësimin e kërkesës së OSHEE Group dhe OST sh.a.
Sa energji është blerë nga janari në tetor në tregun e lirë në sasi dhe në vlerë?
Në periudhën janar-qershor 2023 nuk ka blerë energji elektrike pasi ka qenë në kushtet e tepricave të energjisë, përtej plotësimit të kërkesës me energji elektrike për OSHEE Group dhe OST sh.a. Për periudhën korrik-tetor 2023, KESH sh.a. ka plotësuar kërkesën me energji elektrike nga prodhimi i kaskadës dhe importi i energjisë elektrike.
Në korrik-tetor 2023, konkretisht janë importuar mbi 458 mijë MWh energji, me çmim mesatar 109.71 euro/MWh dhe vlera në total për këtë blerje energjie në treg të lirë është 50.2 milionë euro.
KESH ka kryer edhe depozitim energjie gjatë këtij viti. Sa është kjo sasi dhe kur është rënë dakord që të rikthehet?
Kryesisht në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, KESH sh.a. është ndodhur në kushtet e tepricave të energjisë elektrike dhe me qëllim menaxhimin e tyre ka depozituar një sasi të caktuar në Korporatën Elektroenergjetike Kosovë sh.a., të rakorduar sipas nevojave të këtyre të fundit, me qëllim marrjen e saj në periudhën vijuese të vitit. Sasia neto e depozituar në Kosovë, deri në muajin shtator 2023, është rreth 67,000 MWh.
Si e parashikoni situatën e furnizimit me energji të vendit në dimër? Nga do të sigurohet energjia në skenarin bazë që keni ju?
KESH sh.a. analizon situatën aktuale si dhe llogarit sipas një mesatareje shumëvjeçare prurjet në kaksadën e Drinit për periudhën vijuese, ku rezulton që në kushtet ku futemi edhe në stinën e dimrit (me një rritje të konsumit për shkak të uljes së temperaturave) një pjesë e energjisë që KESH sh.a. nuk e mbulon nga prodhimi i kaskadës do të duhet ta importojë/blejë në tregun e lirë, me qëllim përmbushjen e detyrimit për shërbim publik.
Pritshmëritë
KESH sh.a. analizon situatën aktuale si dhe llogarit sipas një mesatareje shumëvjeçare prurjet në kaksadën e Drinit për periudhën vijuese, ku rezulton që në kushtet ku futemi edhe në stinën e dimrit (me një rritje të konsumit për shkak të uljes së temperaturave) një pjesë e energjisë që KESH sh.a. nuk e mbulon nga prodhimi i kaskadës do të duhet ta importojë/blejë në tregun e lirë, me qëllim përmbushjen e detyrimit për shërbim publik.
VINI RE: Ky material është promësi intelktuale e Monitor