Vendosni fjalën kyçe....

Biden do shtyjë Kinën të rifillojë lidhjet ushtarake me SHBA-në


Presidenti i SHBA-së Joe Biden dëshiron të rivendosë lidhjet ushtarake me Kinën, tha të dielën këshilltari për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, disa ditë përpara se presidenti dhe lideri kinez të takohen.

Biden do takohet personalisht me presidentin kinez Xi Jinping për herë të parë në një vit të mërkurën gjatë samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor në San Francisko. Ky do jetë takimi i dytë personal mes dy drjtuesve që kur Biden mori detyrën në janar 2021.

“Presidenti është i vendosur të shohë rivendosjen e lidhjeve ushtarake, sepse ai beson se është në interesin e sigurisë kombëtare të SHBA-së”, tha Sullivan në një intervistë për “Face the Nation” të CBS. “Ne kemi nevojë për ato linja komunikimi në mënyrë që të mos ketë gabime, llogaritje të gabuara ose keqkomunikim.”

Sullivan tha se lidhjet e rivendosura ushtarake mund të ndodhin në çdo nivel nga lidershipi i lartë në nivelin operacional taktik, si dhe “në ujë e në ajër në Indo-Paqësor”.

“Kinezët në thelb i kanë ndërprerë ato lidhje komunikimi. Presidenti Biden do donte t’i rivendoste ato,” tha Sullivan.

“Kjo është një pikë kryesore e rendit të ditës.”

Takimi Biden-Xi pritet të mbulojë çështje globale nga lufta Izrael-Hamas deri te pushtimi rus i Ukrainës, lidhjet e Koresë së Veriut me Rusinë, Tajvanin, Indo-Paqësorin, të drejtat e njeriut, prodhimin e fentanilit, inteligjencën artificiale, etj, tha një zyrtar i lartë amerikan.