Vendosni fjalën kyçe....

Gratë islandeze organizojnë grevën e parë të plotë në 48 vjet, kërkojnë heqjen e hendekut të pagave me burrat


Dhjetëra mijëra gra dhe njerëz jo-binarë në gjithë Islandën, përfshirë kryeministren, pritet të ndalojnë punën – me pagesë dhe pa pagesë – të martën në grevën e parë të këtij lloji në gati gjysmë shekulli.

Organizatorët shpresojnë se greva e grave – pjesëmarrësit e konfirmuar të së cilës përfshijnë punëtorë të industrisë së peshkimit, mësuese, infermiere dhe kryeministren, Katrín Jakobsdóttir – do e sjellë shoqërinë në një ndalesë për të tërhequr vëmendjen ndaj hendekut të vijueshëm gjinor të pagave në vend dhe dhunës së përhapur me bazë gjinore dhe seksuale.

Ngjarja do shënojë grevën e parë gjithëditore të grave që nga viti 1975, kur 90% e grave islandeze kundërshtuan të punojnë si pjesë e “kvennafrí” (dita e pushimit të grave), duke çuar në ndryshime thelbësore, duke përfshirë gruan e parë të zgjedhur në botë presidente të një vendi.

Kryeministrja e Islandës, Katrín Jakobsdóttir, mori pjesë në grevën e grave

Por organizatorët e grevës së fundit, disa prej të cilëve morën pjesë në grevën e vitit 1975, thonë se kërkesa thelbësore që puna e grave të vlerësohet mbetet e paplotësuar pas 48 vitesh.

Pavarësisht se konsiderohen si lidere globale për barazinë gjinore, duke kryesuar renditjen globale të hendekut gjinor të Forumit Ekonomik Botëror 2023 për të 14-tin vit radhazi, në disa profesione gratë islandeze ende fitojnë 21% më pak se burrat dhe më shumë se 40% e grave kanë përjetuar dhunë me bazë gjinore ose dhunë seksuale.

Organizatorët e grevës thonë gjithashtu se punët e lidhura tradicionalisht me gratë, si pastrimi dhe kujdesi, vazhdojnë të jenë të nënvlerësuara dhe të papaguara.

“Flitet për Islandën sikur të jetë një parajsë barazie”, tha Freyja Steingrímsdóttir, një nga organizatorët e grevës dhe drejtoresha e komunikimit për BSRB, Federata Islandeze për Punëtorët Publikë.

“Por një parajsë barazie nuk duhet të ketë një hendek 21% në paga dhe 40% të grave të përjetojnë dhunë me bazë gjinore ose seksuale gjatë jetës së tyre. Kjo nuk është ajo për të cilën po përpiqen gratë në mbarë botën.”

“Duke pasur reputacionin global që ka, Islanda ka përgjegjësinë të “sigurohet që t’i përmbushim ato pritshmëri”, tha Steingrímsdóttir.

Ndërkohë që ka pasur greva të tjera të grave që nga e para në 1975, e marta shënon grevën e parë të plotë ditore. Duke vepruar nën sloganin “Kallarðu þetta jafnrétti?” (Ju e quani këtë barazi?), është rezultat i një lëvizjeje bazë dhe po planifikohet nga rreth 40 organizata të ndryshme.

Grave dhe njerëzve jobinarë në të gjithë vendin u kërkohet të mos bëjnë asnjë punë të paguar ose të papaguar të martën, duke përfshirë detyrat shtëpiake në shtëpi, “për të demonstruar rëndësinë e kontributit të tyre në shoqëri”. Por disa tashmë kanë filluar të përgatiten para kohe për t’ua lehtësuar jetën meshkujve gjatë mungesës së tyre.

“Ndryshimi është i vërtetë, gratë po hyjnë në grevë, por ‘le të sigurohemi që gjithçka do funksionojë pa probleme’ është mentaliteti në të cilin kemi ngecur dhe duhet të dalim”, tha Steingrímsdóttir.

“Për një ditë nuk është problemi ynë, kështu që le të mos përpiqemi t’ua bëjmë më të lehtë.”

Të paktën 25,000 njerëz pritet të marrin pjesë në një tubim në qendrën e kryeqytetit Reykjavík dhe shumë të tjerë do marrin pjesë në 10 tubime të tjera në mbarë vendin – duke e bërë atë të jetë greva më e madhe e grave në Islandë.

Duke njoftuar pjesëmarrjen e saj, kryeministrja Jakobsdóttir tha se priste që zyra e kryeministrit të ndalonte punën.

“Para së gjithash, unë po tregoj solidaritet me gratë islandeze me këtë pjesëmarrje,” tha ajo për mbl.is.

Ndryshe nga greva e vitit 1975, ngjarja e së martës është për gratë dhe njerëzit jobinarë.

“Ne e bëjmë këtë sepse të gjithë po luftojmë të njëjtin sistem, të gjithë jemi nën ndikimin e patriarkatit, kështu që menduam se duhet ta kombinojmë luftën tonë,” tha Steingrímsdóttir.

Greva kërkon që të mbyllet hendeku gjinor i pagave duke publikuar pagat e punëtorëve në profesionet mbizotëruese nga femrat dhe veprime kundër dhunës me bazë gjinore dhe seksuale, me më shumë fokus te autorët.

Drífa Snaedal, e cila është në komitetin ekzekutiv të grevës së grave dhe është zëdhënëse e Stígamót, një qendër këshillimi dhe edukimi për dhunën seksuale, tha se rritja e qasjes në pornografi tek fëmijët kishte ndikuar në dhunën ndaj grave.

“Statusi i grave në shoqëri dhe pagesa e tyre në vendin e punës ishte gjithashtu e lidhur me dhunën seksuale”, tha ajo.

“Tani po përpiqemi të lidhim pikat, duke thënë se dhuna ndaj grave dhe puna e nënvlerësuar e grave në tregun e punës janë dy anët e së njëjtës medalje dhe kanë një efekt mbi njëra-tjetrën,” tha ajo.

Pavarësisht lëvizjes #MeToo dhe të tjerëve të ndryshëm që kërkojnë barazi në Islandë gjatë viteve të fundit, ajo tha se gratë nuk mund të mbështeten te sistemi i drejtësisë kur bëhet fjalë për krimet seksualisht të dhunshme.

“Durimi i grave ka mbaruar,” tha ajo.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e  The Guardian