Vendosni fjalën kyçe....

Hajdutët ndryshojnë shënjestër, fillojnë të grabisin pemët e ullirit


Çmimet e larta rekord të vajit të ullirit në mbarë botën kanë shkaktuar një valë të paparë vjedhjesh në të gjithë Mesdheun, raportoi Associated Press (AP) këtë javë.

Sipas agjencisë së lajmeve, Greqia, Spanja dhe Italia janë përballur me vjedhje në magazina, hollim të vajit të cilësisë së lartë me lloje me cilësi më të dobët dhe falsifikimin e të dhënave të transportit.

Për më tepër, ka pasur raporte për një numër në rritje kriminelësh që përdorin sharrat elektrike me zinxhir për të vjedhur degë të ngarkuara rëndë me ullinj dhe madje edhe pemë të tëra nga korije të pambrojtura.

“Grabitësit e ullirit ndonjëherë mund të prodhojnë më shumë vaj sesa vetë pronarët, seriozisht,” tha për AP kultivuesi grek Konstantinos Markou.

Sipas raportit, hajdutët kanë qenë kryesisht në kërkim të degëve, të cilat më pas ua shesin kantiereve të drurit apo shitësve të druve të zjarrit, ndërsa ullinjtë shkojnë në një fabrikë vaji.

“Grabitësit kërkojnë degë të ngarkuara rëndë dhe i presin. Pra, jo vetëm që na vjedhin ullinjtë, por i bëjnë pemës një dëm serioz. Duhen 4-5 vjet që të kthehet në normalitet,” u ankua kultivuesi Neilos Papachristou.

Në rajonin e Pulias të Italisë, kultivuesit thuhet se janë përpjekur të krijojnë një divizion bujqësor, të mbështetur nga policia.

Fermerët grekë duan të rikthejnë një divizion të policisë rurale që u hoq nga përdorimi në vitin 2010. Ndërkohë në Spanjë, janë zhvilluar pajisje të specializuara gjurmimi.

Thatësirat e rënda në vendet e mëdha që prodhojnë vaj ulliri kanë çuar në mangësi prodhimi.

Prodhimi botëror i vajit të ullirit pritet të tkurret në 2.5 milionë ton metrikë këtë vit, nga 3.4 milionë një vit më parë.

Mungesa do çojë në çmime më të larta për konsumatorët, paralajmërojnë analistët. Në Greqi, një shishe litri vaj ekstra të virgjër u rrit nga rreth 9 dollarë në 2022 në 15 dollarë këtë vit.