Vendosni fjalën kyçe....

Hakerimi i zyrës së prokurorit të Kolumbisë nxjerr zbuluar emrat e 100 agjentëve të DEA-s


Vitin e kaluar, një shkelje kibernetike në zyrën e prokurorit të Kolumbisë ekspozoi identitetet e më shumë se 100 agjentëve të Administratës Amerikane të Zbatimit të Drogës (DEA) dhe entiteteve të tjera federale të zbatimit të ligjit, së bashku me shumë homologë të tyre kolumbianë dhe globalë.

Emrat e të paktën 90 agjentëve të DEA-s dhe të paktën 15 agjentëve të Hetimeve të Sigurisë Kombëtare u zbuluan në rrjedhjen, e cila u nda me gazetarët dhe përfshinte një sasi të madhe e-mailesh dhe të dhënash të tjera.

Megjithëse vetë DEA nuk u prek nga shkelja dhe gazetarët nuk po publikojnë emrat ose ndonjë informacion identifikues për agjentët, rrjedhja e informacionit tregon mungesën e masave mbrojtëse nga ana e Kolumbisë, një aleate strategjike e SHBA-së në përpjekjet e saj për të luftuar kartelet e drogës.

Rrjedhja nga zyra e prokurorit kolumbian siguroi bazën për NarcoFiles, një projekt shumëkombësh raportimi hetimor nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit së bashku me më shumë se 40 media të tjera, duke përfshirë Miami Herald.

Projekti i udhëhequr nga OCCRP në partneritet me Centro Latinoamericano de Investigación Periodística, filloi me një rrjedhje e-mailesh nga Prokuroria Kolumbiane, të cilat u ndanë me mediat në mbarë botën. Gazetarët ekzaminuan dhe vërtetuan materialet me qindra dokumente të tjera, baza të dhënash dhe intervista.

Në tetor 2022, zyra e prokurorit kolumbian në një deklaratë pranoi se kishte pasur një shkelje, por nuk tha se çfarë u ekspozua në hakerim. Rrjedhja përbën një kërcënim potencialisht më të madh për zbatimin e ligjit dhe autoritetet e tjera kolumbiane pasi përfshin emra të agjentëve të fshehtë kolumbianë, dëshmitarëve dhe hollësive  kyçe rreth informatorëve.

Një organizatë “hakerash” që e quan veten Guacamaya, një fjalë e zakonshme në pjesë të Amerikës Latine për papagallin ‘macaë’, kishte marrë përgjegjësinë.

Guacamaya tha gjithashtu se kishte hakeruar Ministrinë e Mbrojtjes së Meksikës si dhe departamentet e mbrojtjes të Kilit, Kolumbisë dhe të tjerëve,  me sa duket duke shfrytëzuar një dobësi në një server e-maili të përdorur nga kompanitë dhe qeveritë në mbarë botën.

Në manifestin e saj, Guacamaya e quajti zyrën e prokurorit kolumbian “një nga organizatat më të korruptuara në vend” dhe e akuzoi atë si servile ndaj interesave të SHBA-së.

Pasi kishte hakeruar zyrën e prokurorit, Guacamaya ndau 5 TB informacion, duke përfshirë rreth shtatë milionë e-maile, me dy grupe ndërmjetësuese. Këto grupe më pas ndanë të dhënat me gazetarët. Zëdhënësit e DEA-s dhe Departamentit të Drejtësisë nuk iu përgjigjën emaileve të shumta që kërkonin koment.

Dokumentet e NarcoFiles përfshijnë dhjetëra kërkesa nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për ndihmë në sigurimin e përgjimeve, survejimit, arrestimeve dhe ekstradimit të të dyshuarve të kërkuar për trafik droge dhe pastrim parash.

Për shkak se dokumentet janë të lidhura me hetimet që do përdoren ose janë përdorur në çështje gjyqësore, ato përmbajnë emrat e agjentëve që kanë punuar në prokurori të veçanta dhe, në rastin e dëshmitarëve ose informatorëve, shpesh numra telefoni si dhe hollësi të tjera që mund t’i ekspozojnë ata ndaj rrezikut.

Disa dokumente përmbanin gjithashtu numrat e telefonit celular dhe pseudonimet e të dyshuarve që DEA kërkoi ndihmë për të gjurmuar. Dokumentet kolumbiane përfshijnë hollësi të gjera personale rreth agjentëve të fshehtë kolumbianë dhe anëtarëve të familjes, shpesh duke dokumentuar historinë personale të nxjerrë nga kontrollet e historisë.

Në të kundërt, politika e DEA-s kërkon që hollësitë rreth informatorëve të mbahen në formularë të posaçëm që janë të mbrojtur dhe të aksesueshëm vetëm në rrethana të mirëdokumentuara.

OCCRP identifikoi të paktën 90 anëtarë të DEA-s, shumica e të cilëve punojnë në ose me Kolumbinë, në NarcoFiles.

Disa u shfaqën në çështje gjyqësore ose dokumente publike, por shumë prej tyre nuk kishin gjurmë në internet. Tom Devine, drejtor ligjor i Projektit të Përgjegjshmërisë së Qeverisë, një grup që sjell rastet e sinjalizuesve kundër qeverisë amerikane, tha se identifikimi i personelit të DEA-s “përbën një rrezik kërcënues për jetën e agjentëve”.

“Ka një ndryshim të madh midis thashethemeve dhe konfirmimit të qeverisë amerikane për një marrëdhënie pune,” tha ai.

Kolumbia ka marrë më shumë se 13 miliardë dollarë ndihmë të huaj nga SHBA-ja që nga viti 2000, shumica e saj për ushtrinë e Kolumbisë dhe në mbështetje të përpjekjeve kundër narkotikëve. Është e paqartë se deri në çfarë shkalle DEA ka financuar dhe këshilluar partnerin e saj për sigurinë e informacionit, ose çfarë kërkesash ka vendosur për mbrojtjen e informacionit të ndjeshëm.

Kolumbia u rendit e 81-ta nga 182 kombe dhe territore në Indeksin Global të Sigurisë Kibernetike 2020, të publikuar nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit me të dhëna nga Kombet e Bashkuara. Indeksi peshon ligjet e një vendi, kapacitetin teknologjik, strukturat organizative dhe bashkëpunimin global.

“Tendenca e vijueshme e rajonit për krizat e mëdha kibernetike qeveritare është dëshmi e fortë se përpjekjet e koordinuara në nivel kombëtar dhe rajonal duhet të shtohen”, tha Këshilli i Marrëdhënieve me Jashtë në një postim në blog nga ekspertët këtë mars, i cili përmendi hakimet e Guacamaya-s.

VINI RE: Ky  material është pronësi intelektuale e Borderlandbeat