Vendosni fjalën kyçe....

Ish-ministri Manjani për projektin e Kodit Penal të njoftuar nga Manja: I plotë, vlen. Duhet debatuar


Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar as projektit të ri të Kodit Penal të prezantuar në publik nga ministri Manja.

Ai shkruan se projekti në fjalë është me shumë rëndësi dhe meriton vëmendje të plotë. Në shënimin e tij në Facebook, Manjani thekson se projekti ka një risi metodologjike me shumë vlerë pasi për çdo koncept ka përkufizim dhe përshkrim të detajuar.

Sipas tij, metoda në fjalë ndihmon zbatuesit e ligjit por edhe publikunm ndërsa bën thirrje që projekti në fjalë të debatohet para se të miratohet në parlament.

Manjani shton më tej se reforma e vërtetë në drejtësi nënkupton ndryshimin e kodeve dhe jo të personave teksa thotë se disa vepra penale si shpërdorimi i detyrës, ndikimi i paligjshëm, veprat penale ndaj mjekëve  që janë në Kodin në fuqi duhen dekriminalizuar.

Ish-ministri thekson se ka vend për rishikimin e plotë të disa veprave penale si ato për përdoruesit e drogave dhe mbajtësit e armëve ndërsa bën thirrje që synimi i drejtësisë duhet të jenë gjobat e jo burgu.

Në fund ai thekson se që Kodi Penal të jetë efektiv duhet shoqëruar me kod të ri procedural penal dhe një kod kundravajtjesh administrative.

Statusi i plotë

“Projekti i Kodit Penal vlen dhe duhet debatuar.

****

Ministri i Drejtësisë ka anonçuar në publik një projekt të ri të Kodit Penal dhe meriton vemendje të plotë.  Ideja e një kodi të ri është e kahershme, por sot ka ardhur siraja për të patur një dokument mbi të cilin duhet diskutuar me shumë seriozitet.

Dëshiroj që në fillim të komenteve të mia të përgjithshme, t’i them Ministrit Manja “Puna e Mbarë”! 

Asnjë kritikë nuk ka kuptim nëse nuk njeh punën e atij që do të kritikosh.

Së dyti respekt të jashtëzakonshëm për të gjithë ata juristë që janë ulur dhe kanë shkruar tekstin voluminoz të projektit. Nuk është e thjeshtë që të gjesh sot juristë që ulen e shkruajnë ligje. Ma besoni këtë. Bravo vërtetë për punën e bërë.

Projekti në vetvete ka një risi metodologjike me shumë vlerë: për çdo koncept ka pëkufizim dhe përshkrim të detajuar. Kjo metodë ndihmon zbatuesit e ligjit por edhe publikun e gjerë që të kuptojë llogjikën e ligjit.

Edhe kjo risi meriton vlerësim maksimal.

Tani është momenti që projekti të përmirësohet duke u debatuar gjërë e gjatë. Vendimmarrja mbi një ligj kaq të rëndësishëm nuk mund të jetë thjesht disa kartona deputetësh shunica prej të cilëve smarrin haber fare.

Ta themi troç:

reforma reale në drejtësi është ndryshimi i kodeve jo ndryshimi i personave.

Personalisht i mbetem idesë së dekriminalizimit të disa veprave penale si shpërdorimi i detyrës, ndikimi i paligjshëm, veprave penal ndaj mjekëve e disa vepra pa kuptim në Kodin aktual. Jam gjithashtu për rishikim tërësor të penalizimit të atyre që quhen viktima të krimeve, sidomos për përdoruesit e drogave dhe mbajtësit e armëve.

I mbetem gjithashtu idesë së proporcionalitetit llogjik në dënime. Duhet synuar gjoba më shumë sesa burgu…

Por këto ide që kam artikukuar në vite do vijoj ti debatoj në kuadër të projektit të kodit të ri penal.

Ajo që vlen në këtë fazë është vemendja publike e politike për idenë. Është fjala për vendimmarrjen më të rëndësishme të shtetit e shoqërisë për shumë vite në vijim.

Pa asnjë dyshim, kodi penal që të ishte efektiv duhet të shoqërohej edhe me një kod të ri procedural penal dhe një kod kundravajtjesh adminiatrative. Ky i fundit duhet të ishte një ndihmë e madhe për.mos penalizimin e çdo gjëje e me çdo kusht.

Nuk ka të ardhme shoqëria nën sloganin burg-burg-burg!

Ndaj duhet vemendje.

Projekti është i plotë dhe një dokument pune shumë i mirë për të prodhuar një vendimmarrje të drejtë e të arsyeshme.

Edhe njëherë respekt për ata që punuan!”