Një 58-vjeçar u arrestua nga policia pasi u kap duke transportuar emigrantë të paligjshëm.
Policia e Korçës njofton se arrestimi erdhi pas një hetimi dy mujor, ndërsa u kap duke transportuar 26 emigrantë.
Policia ka sekuestruar fugonin me të cilin po transportoheshin këta shtetas dhe 2 aparate celularë.
“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, pas hetimeve 2-mujore të kryera për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, drejt vendeve të BE-së, finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 23”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi V. K., 58 vjeç, banues në Durrës.
Në aksin rrugor “Bilisht-Pogradec”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin furgon tip “Benz”, me drejtues shtetasin V. K. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u konstatuan 26 emigrantë të paligjshëm, të cilët do të transportoheshin nga ky shtetas kundrejt pagesës, drejt vendeve të BE-së.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti furgon me të cilin po transportoheshin emigrantët e paligjshëm dhe 2 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme”- njofton policia.