Vendosni fjalën kyçe....

Buxheti, Denaj: Skema e re e vitit 2024 për bujqësinë do të fokusohet te bashkimi i operatorëve


Ministrja e Bujqësisë Anila Denaj në Komisionin e Ekonomisë deklaroi se skema e re e vitit 2024 për bujqësinë do të fokusohet te bashkimi i operatorëve.

Ajo nënvizoi edhe njëherë se buxheti për bujqësinë është i ulët, ndërsa shtoi se në raport me rajonin jemi te fundit sa i përket mbështetjes së drejtpërdrejtë.

“Është shumë e rëndësishme që ne të shikojmë që skemat të nxisin prodhimin dhe produktivitetin dhe jo vetëm formalizimin. Ne duhet të shkëputemi nga NIPT-i i fermerit për të shkuar drejt fiskalizimit të ndërmarrjeve bujqësore. Binomi cilësi dhe shkallë është ajo që motivon bashkimin e operatorëve prandaj mendoj se skema e vitit të ardhshëm do fokusohet tek bashkimi i operatorëve.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit tjetër, në hapësirën që na ka dhënë qeveria shqiptare për të sjellë një skemë të qëndrueshme, do të kemi mundësi të rrisim tavanet, por kjo do të jetë në një diskutim kur ne të propozojmë si në bllokun ekomomik ashtu edhe në qeverinë shqiptare skemën e cila do jetë e qëndrueshme 3 deri në 5 vjet me fondit i cili do jetë 3-fish më i lartë se buxheti aktual.

Buxhetet për bujqësinë janë të vogla, krahasuar me rajonin, ne jemi të fundit sa i përket mbështetjes së drejtpërdrejtë”.

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë Eduard Shalsi preku edhe çështjen e progres-raportit 2023 të KE, i cili rekomandon që qeveria shqiptare dhe institucionet përkatëse duhet të sigurojnë kapacitetet e nevojshme administrative për të realizuar Rrjetin e të Dhënave të Kontabilitetit të Fermave, FADN-n. Ministrja denaj deklaroi se vitin e ardhshëm do të nisë puna për një projekt për të vendosur të gjitha të dhënat e fermerëve në një sistem.

“Sa i përket progres raportit për FADN -së, sot ne marrim meritën e një produkti që fillon në 2024. Janë fonde IPA, që startojnë vitin e ardhshëm, me një projekt që shkon 1.5 mln euro dhe që zgjat 3 vjet, për ketë puna sigurisht do të japë rezultate për të vendosur në një sistem të gjithë informacionin që duhet. Edhe në këtë aspekt ne jemi mbrapa me rajonin. Maqedonia e veriut është një nga vendet e rajonit që ka zhvilluar një sistem shumë cilësor me regjistrat, por edhe me konsolidimin e tokës dhe regjistrimin e saj”, tha ministrja.