Pas lajmit për dhunën ndaj një vajze 3-vjeçare në një kopsht privat në Tiranë, i cili rezultonte i pa licencuar, ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, ka bërë publike një audit, duke theksuar se në kryeqytet rezultojnë 8 kopshte private pa licencë.
“Ngjarja e keqtrajtimit dhe dhunës ndaj 3-vjeçares, e cila na ka tronditur të gjithëve. Kontrollet nga grupi i posaçëm kërkojnë marrjen e masave ndëshkuese. Nuk janë dhe nuk do të jenë thjesht një ndërhyrje e izoluar. Nuk jemi ndalur vetëm tek rasti që u bën publik. MASH ka ngritur një Task Forcë nga Drejtoria e Përgjithshme për verifikimin dhe plotësimin e standardeve në bashkitë e vendit. Nga kontrollet e këtyre ditëve, 90 kopshte jo publike janë insektuar. 67 kopshte ushtrojnë veprimtarinë në përputhje me ligjislacionin. 8 kopshte jo publike, nuk kanë aplikuar për licencim dhe 2 prej tyre ju është refuzuar licencimi.
Nisur nga problematikat, MASH ka publikuar në faqen e saj kopshtet që janë të licensuara dhe lista është në përditësim. Subjektet që kërkojnë të ushtrojnë veprimtarinë “kopsht” të marrin masat për ushtrimin e kësaj veprimtarie. Në rast të mosplotësimit të dokumentacionit, do të ketë ndërprerje të menjëhershme të veprimtarisë.
Nevojitet akoma më shumë bashkërendim i punës për të garantuar shërbim maksimal në institucionet e eduktimit. Fuqizojmë hallkat e monitorimit. Pikërisht sepse ende kemi sfida përballë dhe ende ka problematike që duhet të adresohen, në krye të listës do të jetë reforma e arsimit parashkollor. Zero tolerancë ndaj çdo fenomeni që dëmton fëmijën.
Kam një thirrje, fenomene negative të dënueshme dhe të dhimbshme, janë tronditëse por mund t’i luftojmë duke bashkëvepruar të gjithë së bashku si shoqëri për të rritur cilësinë e shërbimeve”, tha ajo.