Plani 10 -vjeçar i investimeve të Albgaz zbardhur nga Enti Rregullator i Energjisë sjell në vëmendje zhvillimin e infrastrukturës në përshtatje edhe me planet për transmetimin e hidrogjenit në të. Albgaz citon në këtë plan se “parashikohet se të gjithë tubacionet e infrastrukturës së re të gazit do të ndërtohen të gatshme për hidrogjen me qëllim për të akomoduar pritshmëritë që hidrogjeni do të zëvendësojë gradualisht gazin natyror pas vitit 2030.
Albgaz i referohet hulumtimeve që janë bërë në Europë nga shoqëri të ndryshme të cilat kanë treguar se tubacionet e ndërtuara së fundmi mund të modifikohen teknikisht në mënyrë që të mundësojnë transmetimin e sigurt të hidrogjenit (ose minimalisht të gazit natyror me përmbajtje të lartë hidrogjeni).
“Megjithatë, duke qenë se ritmi i ndërtimit të instalimeve të prodhimit në shkallë të lartë të hidrogjenit si dhe shkalla e konvertimit të konsumatorëve nga gazi natyror në hidrogjen janë aktualisht të panjohura dhe të pasigurta, për të mbajtur opsionin e hidrogjenit ende të zbatueshëm për Shqipërinë, ALBGAZ merr në konsideratë që tubacionet e reja të gazit do të ndërtohen të tilla për të pranuar hidrogjen dhe për të ndryshuar minimalisht/ose për të punuar në minimum në rast të një përmbajtje më të lartë hidrogjeni” vlerëson ALBGAZ.
Plani i kompanisë për periudhën 10-vjeccare deri në vitin 2032 parashikon investime që kapin një vlerë totale prej 748 milionë euro me apo pa pjesëmarrjen e kompanisë publike. Kjo pari parashikohet zbatimi i një sërë projekteve nga kompani private. Vetëm për vitin 2024 parashikohen investime me vlerën 144 milionë euro.
Projektet prioritare
Kompania pranon se nuk ka kushtet financiare për të ndërtuar projekte të mëdha sikurse janë infrastrukturat që kërkohen për zhvillimin e sektorit por ka parë të arsyeshme që të gjitha të jenë në bashkëpunim me partnerë.
Projekti i parë prioritar nënvizohet të jetë TEC Vlora i cili do të vihet në funksion duke prodhuar energji nga gazi. Për këtë zuri vend edhe një studim fizibiliteti i cili ka dalë me dy opsione për vendosjen e tubacionit. Opsioni i itinerarit 1 shkon nga pika dalëse e TAP CP1 nëpërmjet TP Fushë dhe TP Vlorë në TEC Vlorë. Opsioni i itinerarit 2 shkon nga pika dalëse e TAP CP1 nëpërmjet TP Fier dhe TP Vlora në TEC Vlorë. Opsioni i parë ka një vlerë CAPEX prej 32.2 milionë euro ndërsa i dyti 39.6 milionë euro. Gazsjellësi Vlorë – Fier do të furnizohet nga terminali i GNL Vlorë. Shfrytëzimi maksimal vjetor i gazsjellësit që furnizon TEC Vlorë do të jetë deri në 5.5 BCM / vit
Terminali i GNL në Vlorë është një tjetër projekt ku Albgaz do të ketë një pakicë aksionare prej 10-15 për qind. Vlera e parashikuar e projektit është 128 milionë euro. “Duke supozuar se Kompania e Projektit do të financohet pjesërisht përmes huave (40%), 10% e aksioneve të ALBGAZ do të thotë që ALBGAZ do të duhet të sigurojë 7.7 milion € si kapital” thuhet në dokument.
Portofoli i projekteve madhore që do të realizohen në periudhën 2022-2025 të Planit të Investimeve arrin në 212.7 milionë €, nga të cilat investimet financiare të Albgaz (në formën e kontributit të kapitalit për shoqëritë e projektit) janë 30.41 milionë euro.
Projekti i gazifikimit të Korçës
“Projekti i gazifikimit të Korçës është evidentuar si projekt i rëndësishëm i cili pritet të miratohet me VKM në kuadër të ndryshimit të GMP. Gazifikimi i qytetit të Korçës evidentohet veçmas projekteve prioritarë pasi mbetet për t’u përcaktuar modeli i biznesit mbi këtë projekt i cili është objekt ndryshimesh në prizmin e konfigurimit te strukturës aksionere dhe vlerave respektive të investimit ne këtë infrastrukturë. Gjithashtu, parësor është edhe roli i Bashkisë Korçë në implementimin e këtij investimi duke përllogaritur një fond shtetëror në rastin e një subvencioni të mundshëm. Gazifikimi i qytetit të Korçës është i realizueshëm për një sërë faktorësh si afërsia me TAP-in, reduktimi i emetimit të dioksidit të karbonit nëpërmjet zëvendësimit të përdorimit të lëndëve drusore për ngrohje në përdorimin e gazit, etj (parë në këndvështrim afatgjatë). Çmimi mesatar i gazit natyror është projektuar përafërsisht €40/MWh” nënvizon Albgaz.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor