Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku për progres-raportin: Shqipëria vazhdon të ketë probleme në 15 fusha kryesore


Deputetja e PD, Jorida Tabaku foli në një deklaratë për mediat për progres raportin për Shqipërinë, duke theksuar se vendi ynë vazhdon të ketë probleme të thelluara në 15 fushat kryesore.

Ajo  ka thënë se Shqipëria ka pasur progres, të limituar në pjesën më të madhe të fushave dhe nuk pati asnjë ndryshim në numrin e kapitujve me “nivel përparuar përgatitje”.

Tabaku pohon se nuk donte që skenat e së premtes të përsëriteshin në sy të ambasadorit dhe si pasojë i kërkoi Luigi Soreca mirëkuptim.

 Më tej, ajo ka treguar se nga raporti shumëfaqësh i Komisionit Europian, mund të nxjerrim 6 problematika kryesore, të cilat i ka renditur një pas një.

DEKLARATË E PLOTË E TABAKUT

Sot në orën 12.30 duhej të zhvillohej mbledhja e KKIE e cila fatkeqësisht nuk do të zhvillohet duke humbur një mundësi për të pasur një debat të hapur dhe gjithëpërfshirës për raportin e progresit të Shqipërisë të publikuar gjatë javës së shkuar si dhe planin e rritjes.

Për këtë arsye po ndaj disa konsiderata për progres raportin si dhe disa shqetësime të cilat i kam përsëritur deri në lodhje në lidhje me situatën dhe rrugën përpara.

Ne nuk mund të presim që raporti të zgjidhë të gjitha shqetësimet tona dhe të reflektojë çdo gjë që shoqëria shqiptare ka sfidë për momentin por gjykoj që raporti është shumë larg së qënit më I miri dhe nqs qeveria shqiptare gjykon se kjo pamje është më e mira e mundshme atëherë kemi një sfidë reale:

Shqipëria vazhdon të ketë problematika reale dhe të thelluara në kohë në 15 fushat kryesore duke pasur përkeqësime të vazhdueshme nga fsha e Administratës Publike, me problematikat e theksuara të punësimeve jo në bazë merite dhe mungesë transparence. Një problematikë që eklipson situatën e përmirësuar në fushën e statistikave.

Përgjithësisht Shqipëria ka pasur progres, të limituar në pjesën më të madhe të fushave dhe nuk pati asnjë ndryshim në numrin e kapitujve me “nivel përparuar përgatitje”. Në raportin e vitit 2023 Shqipëria është e përgatitur në mënyrë të moderuar në 15 kapituj, ka nivel të mirë përgatitje në 2 kapituj (marrëdhëniet me jashtë dhe linjëzimi i politikës së jashtme dhe sigurisë) dhe nivel të moderuar deri të mirë në 3 kapituj të tjerë (Politikat monetare dhe ekonomike; Shërbimet financiare; Energjia). Pothuajse një e treta e kapitujve kanë pak nivel përgatitje ose janë ndërmjet pak dhe disi nivel përgatitje, ndërkohë që është akoma në fazë fillestare kapitulli 1 (mbrojtja e konsumatorit dhe shëndeti).

Nga raporti shumëfaqësh i Komisionit Europian, mund të nxjerrim 6 problematika kryesore:

  1. Zgjedhjet, në të cilën progres raporti njeh parregullsitë e përmendura dhe nga OSBE/ODIHR gjatë zgjedhjeve lokale të 14 Majit, ku përfshihen shitblerja e votës, përdorimi i aseteve publike si dhe keqpërdorimi i administratës shtetërore, presion ndaj votuesve etj “Ka pasur një pjesëmarrje të ulët të votuesve, veçanërisht në mesin e të rinjve. Sipas zbulimeve të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve, një fushë loje e barabartë midis kandidatëve nuk ishte e garantuar për shkak të një interpretimi të ngushtë dhe formalist të dispozitave të kodit zgjedhor.” theksohet në progres raport. Raporti thekson se Parlamenti duhet të reformojë menjëherë Kodin Zgjedhor, duke marrë në konsideratë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për diasporën dhe votën e saj në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme problematika si më sipër të mos cenojnë procesin zgjedhor.
  2. Mungesën e një jete parlamentare të kryeministrit. Raporti thekson se” Mosmarrëveshjet politike mes shumicës dhe opozitës, veçanërisht në lidhje me refuzimin e Kryeministrit për të marrë pjesë në interpelanca, kanë ndërprerë funksionimin normal parlamentar.” Më tej në të theksohet mohimi i së drejtës së opozitës për ngritur komisione hetimore është në kundërshtim me Kushtetutën.
  3. Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet ende një nga fushat me progres të limituar. Korrupsioni mbetet ende një nga fenomenet e përhapura në të gjithë sektorët e shtetit, vijon progres raporti, edhe pse kemi disa rezultate të dënimit të ish zyrtarëve të lartë për rastin e inceneratorëve. Raporti bën thirrje për shtimin e hetimeve ndaj zyrtarëve dhe forcimin e strukturave të posaçme si SPAK dhe BKH. Gjithashtu I bën thirrje qeverisë shqiptare që të miratojë një paketë anti-korrupsion në mënyrë që të luftojë korrupsionin në të gjitha nivelet. Shqipëria duhet të bëjë përpjekje më shumë për të parandaluar pastrimin e parave, krimin kibernetik dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Në këtë prizëm progres raporti I bën thirrje Shqipërisë që të rishohë iniciativat e fundit të qeverisë në lidhje me amnistinë fiskale dhe legalizimin e kanabisit, pasi I hapin rrugë pastrimit të parave.
  4. Në lidhje me reformën në drejtësi, pavarësisht se procesi i vettingut po ecën, progres raporti ngre shqetësime në lidhje me ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë si dhe pavarësinë e tij. Nga ana tjetër eficensa e sistemit gjyqësor është gjithashtu një shqetësim, pasi shumë gjykata të vendit po vuajnë nga stoku i lartë i dosjeve.
  5. Liria e medias është një tjetër problematikë I nxjerrë nga progres raporti. “Mjedisi mediatik në Shqipëri është i prekur nga probleme sistematike, duke përfshirë përqendrimin e pronësisë së mediave dhe ndikimin e padrejtë nga interesat biznesi dhe politike”, shkruan progres raporti. Ai i bën thirrje Shqipërisë të ndërmarrë hapa për të siguruar një mjedis të përshtatshëm për gazetarët dhe mediat.
  6. Së fundmi por jo nga rëndësia Prokurimet Publike. Progres Raporti thekson se është rritur numri i prokurimeve me negocim pa shpallje gjatë 2022, duke bërë thirrje për transparencë në këtë sektor.

Janë këto shqetësime që përkufizojnë sëmundjen e demokracisë në vendin tonë, shqetësime që duhen adresuar jo vetëm për të përmbushur detyrimet e këtij progres raporti, por, mbi të gjitha, për t’i ofruar qytetarëve një qeverisje që punon për ta.

Situata gjeopolitike në botë na ka bërë të jemi më të vëmendshëm për fuqitë dhe mundësitë tona për të pasur një demokraci konform parimeve të Bashkimit Europian. Ngjarjet që kanë ndodhur dhe në rajonin tonë na shtyjnë të punojmë për një shoqëri më demokratike dhe për një shtet të së drejtës dhe sudimit të ligjit. Prandaj, ndonëse në raport shumëkush do të kërkonte të gjendeshin edhe më shumë komente mbi aferën e fondeve të IPARD hetuar nga OLAF apo shqetësime për mungesën e konsultimeve për legjislacionin dhe kontrollin e informacionit apo edhe hapësirën e munguar për mediat. Sa më sipër përshkruar në raportin e progresit 2023 janë mëse të mjaftueshme për të pasur alarmin ndezur. Gjithsesi, siç jam shprehur qartazi edhe më herët. Progres raporti ka qenë dhe mbetet më së shumti dhe më së miri një dokument i qartë udhëzues. Një hartë e qartë e detajuar se si duhet të ndryshojmë ne situatën në të cilën gjendet vendi. Siç fjala vjen është situata në luftën kundër korrupsionit ku jo vetëm mbështet SPAK por njëkohësisht kërkon forcimin e hetimeve, procedimeve penale dhe vendimeve në lidhje me çështjet e rëndësishme të nivelit të lartë.

Ndërkohë, që parlamenti i Shqipërisë duhet me doemos që të vazhdojë punën për të mbështetur institucionet e reja të drejtësisë jo vetëm në mbështetje të kërkesave të tyre por mbi të gjitha në ndërtimin e një strategjie anti-korrupsion që duhet të jetë e tillë që të ndihmojë sektorët më në nevojë. Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë prioriteti ynë kombëtar!

Sidoqoftë procesi i integrimit nuk ka lidhje as me numër mbledhjesh e as me numër zyrtarësisht që shkojnë në Bruksel dhe fatkeqësisht në vitin e fundit asnjë reformë e rëndësishme nuk është miratuar në parlament, i vetmi është Ligji për Rolin e Kuvendit në Procesin e Integrimit për përfshirjen e opozitës në procesin e integrimit dhe rritjen e rolit të kuvendit. Në vend që të vetëmburremi me rezultate imagjinare ne duhet patjetër ta shndërrojmë këtë raport në një manual dhe me përfundimin e procesit të screening të pasurojmë ekipet negociatore me të rinj të talentuar që nuk janë pjesë e administratës publike të politizuar, me grupe interesi me shoqërinë civile e me qindra zyrtarë të niveleve të dyta e treta e të mos ta lëmë veç në nivel politik. Ky proces kërkon gjithëpërfshirje, kërkon angazhim të gjithë faktorëve, kërkon debat publik dhe nuk është pronësi qeveritare por është proces kombëtar dhe si i tillë duhet trajtuar. Shpresoj shumë që në fund të këtij viti të kemi hapjen e negociatave dhe të dalim nga ky ngërç 10-vjeçar u hapën nuk u hapën, dhe të fokusohemi te ajo që ka me vërtetë rëndësi për shqiptarët integrimi. Më vjen keq që nuk do të kemi mundësi t’i dëgjonim këto çështje sot në Këshill Integrimi dhe të diskutonim për mënyrën se si procesi i integrimit mund të shërbente dhe si një mënyrë për ti ndryshuar gjërat me të vërtetë.