Gjykata e Posaçme nëpërmjet një njoftimi ka bërë me dije se ka pushuar gjyqin për shpifje ndaj Sali Berishës, i cili ishte paditur nga kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Zyra e shtypit e GJKKO tha se shkak për vendimin është bërë fakti se në seancën e 14 nëntorit, nuk është paraqitur pala paditëse, Erion Veliaj dhe përfaqësuesit e tij.
I padituri për shpfije Sali Berisha, kishte marrë dijeni për seancën dhe kishte kërkuar që gjyqi të vijonte në prani të mbrojtësi të tij të zgjedhur me prokurë të posaҫme.
Veliaj kishte paditur si lajm të rremë dhe shpifje, një postim të Sali Berishës në rrjetet sociale me tekst dhe foto, ku pretendonte për lidhje të kryebashkuakut të Tiranës me Iranin.
‘1. Viktima akuzuese, Erjon Veliaj, më datë 02.10.2023 ka paraqitur pranë kësaj Gjykate kërkesën për gjykimin e ҫështjes penale me objekt: Deklarimin fajtor të të akuzuarit Sali Berisha për kryerjen e kundërvatjes penale të “Shpifjes”, të kryer botërisht në dëm të viktimës akuzuese Erion Velian, parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal.
- Në datën 14.11.2023 ishte planifikuar për t’u zhvilluar seanca pajtimore në respektim të nenit 338 të K.Pr.Penale. Në këtë seancë nuk u paraqit viktima akuzuese Erion Velia pa shkaqe të arsyeshme, ndërkohë që i akuzuari Sali Berisha bazuar në nenin 351 pika 1 të K.Pr.Penale pasi kishte marrë dijeni të rregullt për seancën pajtimore me Deklartatën Noteriale Nr. 2797 Rep., dhe Nr. 986 Kol., datë 20.10.2023 kërkoi që seanca të zhvillohej në prani të mbrojtësi të tij të zgjedhur me prokurë të posaҫme.
- Ndodhur në këto kushte, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 59, 112 dhe 387 të K.Pr.Penale si dhe në vendimin Unifikues Nr. 11, datë 14.10.2011 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, me vendimin Nr. 76, datë 14.11.2023, vendosi:
Pushimin e çështjes penale me Nr. Regjistri Themeltar 109, datë regjistrimi 02.10.2023, me Viktimë akuzues: Erion Veliaj; të akuzuar: Sali Berisha për veprën penale të “Shpifjes” parashikuar nga neni 120/2 i Kodit Penal.
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen viktimës akuzuese Erion Veliaj.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.
Tiranë, më datë 14.11.2023 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.’- njofton GJKKO.