Vendosni fjalën kyçe....

Negociatorët e BE-së arrijnë marrëveshje për zvogëlim të emetimeve të metanit


 

Negociatorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, kanë arritur të mërkurën një marrëveshje për rregullat e reja për zvogëlim të emetimeve të metanit, të cilat më pas do të rezultojnë me kërkesa tjera për industritë e thëngjillit, gazit dhe naftës.

“Teksti përfaqëson kontribut kyç për veprim klimatik, pasi metani është gaz i fuqishëm serrë, i dyti pas dioksidit të karbonit, dhe në përgjithësi ndikon në ndryshime klimatike dhe është përgjegjës për një të tretën e ngrohjes aktuale të klimës”, ka thënë Teresa Ribera, ministre spanjolle për Ekologji.

Kjo marrëveshje, e cila duhet të miratohet zyrtarisht për t’u shndërruar në ligj, është arritur vetëm dy javë para nisjes së Samitit të Kombeve të Bashkuara për Klimën, që do të mbahet në Dubai.

Marrëveshja kërkon masa të reja për t’i monitoruar emetimet e metanit, sidomos ato të sektorit që prodhon energji me naftë të papërpunuar.

Dokumenti, po ashtu, bën thirrje që masat për këtë industri të prezantohen në tri faza.

Komisioni Evropian e ka komentuar marrëveshjen e së mërkurës si “kyçe” për luftën e BE-së ndaj ndryshimeve klimatike.

Ai ka thënë se për më shumë se një shekull, metani, në krahasim me dioksidin e karbonit, ka qenë 28 herë më i fuqishëm në ngrohjen globale.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL.