Shërbimet e sigurisë të Ukrainës arrestuan një deputet, i cili më parë ka pasur lidhje me ish-avokatin e Trump-it, Rudy Giuliani, duke pretenduar se ai ishte i përfshirë në një operacion inteligjence në emër të qeverisë ruse.
Anëtari i parlamentit Oleksandr Dubinsky ndihmoi përpjekjet e Giuliani-t në vitin 2019 në Ukrainë për ‘goditjen’ politike kundër presidentit Biden, veçanërisht në lidhje me biznesin e djalit të tij Hunter Biden në Ukrainë.
Dubinsky akuzohet për tradhti, pasi prokurorët pretendojnë se ai dhe të tjerët kanë punuar me shërbimet e inteligjencës ruse për të destabilizuar politikën e Ukrainës.
“Detyra kryesore e kësaj organizate është të tronditë gjendjen socio-politike në Ukrainë dhe të diskreditojë shtetin tonë në arenën ndërkombëtare”, thuhet në një deklaratë të Shërbimeve të Sigurisë së Ukrainës (SBU).
“Për këtë, grupi mori para nga inteligjenca ushtarake e Federatës Ruse.”
Rrjeti të cilit i përkiste Dubinsky mori më shumë se 10 milionë dollarë për punën që kreu, thanë shërbimet ukrainase të sigurisë.
Duke cituar hetimin e tyre, SBU-ja tha se përfshirja e Dubinsky-t në skemë përfshinte përhapjen e dezinformatave në lidhje me zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
“Si pjesë e hetimit paraprak, u dokumentua se i dyshuari po përhapte falsifikime për udhëheqjen më të lartë ushtarake dhe politike të vendit tonë,” tha SBU, duke shtuar se ai përhapte “lajme të rreme për ndërhyrjen e supozuar të zyrtarëve të lartë ukrainas” në zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2020.
Ish-deputeti i parlamentit Andriy Derkach dhe ish-prokurori Kostiantyn Kulyk ishin gjithashtu të përfshirë në skemë.
Dubinsky, Derkach dhe Kulyk ishin në mesin e shtatë ukrainasve të sanksionuar nga Departamenti i Thesarit në 2021 pasi akuzoheshin si pjesë e një rrjeti rus të dezinformimit që u përpoq të njolloste Biden në vitin 2019.
Departamenti i Thesarit tha se përfshirja e Dubinsky-t ishte “projektuar për të përjetësuar këto dhe narrativa të tjera të rreme dhe për të denigruar kandidatët presidencialë të SHBA-së dhe familjet e tyre”.
Të dy Derkach dhe Kulyk u larguan nga vendi, tha SBU-ja, shumë kohë përpara aktakuzës. Nëse shpallen fajtorë, ata mund të dënohen me 15 vjet burg.
Dubinsky konfirmoi në Telegram se ai ishte akuzuar dhe u deklarua i pafajshëm.
“Unë do mbahem në paraburgim deri më 12 janar 2024, ky quhet “Viti i Ri në një objekt paraburgimi”, tha ai të martën.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Hill