Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Akuza të turpshme, s’e kam favorizuar asnjë çast, Jamarbër Malltezin


Ish-kryeministri Sali Berisha sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama dhe gjyqtaren Irena Gjoka dhe anëtarë të tjerë të sistemit të drejtësisë, sa i takon çështjes për të cilën ai po hetohet.

Ai tha se në asnjë rast nuk ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet pas hekurave për çështjen ‘Partizani’.

“Shumë ditë më parë, unë premtova se procesin e shëmtuar politik të Edi Ramës, unë do ta kthej në gjyqin publik të shekullit kundër personit, që në historinë e Shqipërisë, paraqitet njeriu më i rrezikshëm pas Enver Hoxhës.

Gjyqin publik të Edi Ramës, nuk kam ndërmend ta bazoj në epitete, se Lana do mbushej me to në qoftë se do hyjmë në atë fushë.

Kam ndërmend ta bazoj vetëm në fakte të pakundërshtueshme, në ligje dhe vendime, që japin përgjigjen më shterruese, aktit të shëmtuar politik të Edi Ramës dhe larove të tij, Kraja, Millonai, Gjoka.

Në dacibaon e tyre politike, Edi Rama me larot e tij, turpi i drejtësisë në Shqipëri dhe botë, aludojnë dhe pretendojnë se Sali Berisha, reformën programatike në sistemin e pronësisë, një reformë fondamentale për programin e PD, ligjet dhe vendimet për kët reformë, i ndërmori për të favorizuar dhëndrin e tij, që ai të mund të marrë 140 metra tokë, të trashëguar sipas të gjithë dokumentave zyrtare nga familjarët e tij, gjyshja e tij konkretisht, dhe mbi këtë bazë ndërtojnë akuzat e turpshme të favorizimit të dhëndrit dhe pasurimit të paligjshëm të tij dhe më pas të Sali Berishës. Në krye të radhës, dua të deklaroj se ndërhyrja në ligjin e kthimit dhe kompensimit të pronave, siç do faktohet me të dhëna të pakundërshtueshme, kishte dy qëllime madhore.

Së pari, të mbronte interesin publik. Askush nuk mund të zhvaste apo të stërzhvaste pasuri publike.

Së dyti, askujt nuk mund t’i mohohej prona që u takonte dhe gjithsecilit duhet t’i njihej dhe rikthehej apo kompensohej prona e tij. Në përputhje me këto qëllime, u bënë edhe ndryshime institucionale. Në vend të një komisioni që ecte çalë-zvarrë, u krijua me standardin modern, agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave.

Kjo agjenci, me një punë të admirueshme, sipas dosjeve, arriti me 53.775 vendime nga viti 2006 deri në vitin 2012, t’ju rikthejë shqiptarëve 1 miliardë e 16 milionë metër katrorë.

Përveç kësaj, t’ua kompensojë me tokë apo me para edhe 561 milionë e 400 mijë metër katrorë.

Pra, kjo agjenci, në 6 vite, me 53.775 vendime, u riktheu apo kompensoi pronarët shqiptarë me 1 miliardë e 577 milionë e 400 mijë metër katrorë. Nga të cilat, armiku i popullit, Jamarbër Malltezi, në përputhje me të gjithë dokumentet zyrtare, ka marrë 140 metra katrorë. A ka mendje njerëzore, përveç Edi Ramës, që mund të imagjinojë se shqiptarëve iu rikthyen në përputhje me ligjet, 1.577.400.000 metër katrorë? Cili do ishte ai që mund të imagjinonte se ligjet, se vendimet për rikthimin e 1.577.400.000 metër katror, kishin për qëllim favorizimin e njërit prej qindra e mijëra pronarëve, që kishte gjithsej në këtë shumë 140 metër katrorë trashëgimi familjare.

Ky është Edi Rama.”, tha ai.

Berisha tha se do t’i bënte gjyq publik Ramës me fakte.

“Toka që unë përmenda më sipër, prej 1.577.400.000 metra katrorë është tokë bujqësore, është truall, është kullota, është pyje dhe e përzier. Tani të rikthehemi pak te toka truall, e kthyer në metra katrorë.

Gjatë viteve 2006-2012, agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave, e krijuar me ndryshimet në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, iu riktheu shqiptarëve, 54.220.000 metër katrorë truall. Po kjo agjenci, kompensoi pronarët edhe për 64.900.000 metër katrorë truall. I kompensoi me tokë fizike ose me para. Pra, në total, pronarët morën nga kjo agjenci, dokumentet për 119.120.000 metër katrorë tokë. Në këto 119 milionë dhe 120 mijë metër katrorë, janë brenda edhe 140 metër katrorë të Jamarbër Malltezit, trashëgimi me të gjithë dokumentet zyrtare nga familjarët e tij, tokë e konfiskuar 60 vite më parë nga regjimi komunist dhe e rikthyer gjatë këtyre viteve.

Prapë shtroj pyetjen: a ka mendjen njerëzore që mund të pretendojë se ligjet e pronave, se reforma e pronësisë, se ndryshimi i institucioneve u bë për të favorizuar Jamarbër Malltezin? Pra, rreth 120 milionë metër katrorë truall u kompensuan që Jamarbër Malltezi të marrë 140 metër katrorë truall. Po, ekziston një mendje e tillë dhe kjo mendje është rrezik i madh. Ju garantoj për çdo shqiptar. Ndaj dhe unë këtu para jush kam vendosur t’i bëj gjyqin publik, jo me deklarata, por me fakte konkrete që dëshmojnë se ky zotëri nuk ndalet para asnjë krimi apo vetëposhtërimi, vetëm e vetëm që të shpëtojë lëkurën e tij. Mos harroni se ai sot rri në burg politik, i burgosur politik, se nga 119.120.000 truall, ka marrë 140 metër katrorë të vetat, ka marrë ndërkohë në të vërtetë kjo përbën, bashkë me familjen Begeja, as 8 përqind të pronave të tyre. Por ky është hesap tjetër.

Pra, ka marrë 140 metër nga 1 miliard e 577 milionë e 400 mijë metër katrorë të kthyera. Në dacibaon e tyre, fakt për favorizim, paraqitet zgjatja e afatit të paraqitjes së dokumenteve. Turpi i Edi Ramës dhe atyre që shkruajnë në atë mënyrë. Para meje, afatin e kishte zgjatur Fatos Nano me dy vite. Pas kësaj zgjatje që bëra unë, afatin e kam zgjatur prapë në vitin 2008. Por për dijeninë tuaj, zgjatja e parë e afatit ka pasur pothuajse zero efekt në dosjen e familjarëve të klubit Partizani, pasi ata e kishin nisur procesin në vitin 1994 dhe e vërteta është se kthimi dërrmues u bë nga komisioni i kthimit dhe kompensimit të pronave në vitin 2006, kur shumica e anëtarëve ishin zgjedhur nga mazhoranca socialiste.

Ky është njëri aspekt. Po të marrësh marrëzitë, të cilat referohen ata për ndryshimin e ligjit të pronave, ato kanë pasur vetëm këtë qëllim, që toka të mos mund të grabitej nga shteti, por toka t’i kthehej pronarit dhe kjo ka ndodhur.”, pohoi ish-kryeministri.