Vendosni fjalën kyçe....

Efektivi i policisë përfshihet në aksident rrugor, arrestohet pas testit të alkoolit 


Një efektiv policie në Sarandë  është arrestuar në flagrancë nga forcat e rendit pasi gjatë ditës së djeshme, është përfshirë në një aksident rrugor.

Pas kryerjes së testit të alkoolit, ai rezultoi në gjendje të dehur. Ndërkohë, dy efektivë të tjerë në Peqin janë parë duke konsumuar alkool në një lokale.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, kërkoi hetim disiplinor.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka vijuar zbatimin e Planit të Monitorimit, me qëllim mbikëqyrjen e veprimtarisë së subjekteve të AMP në drejtim të performancës dhe sjelljes së punonjësve të Policisë në komunitet, si dhe respektimit të normave dhe rregullave të etikës.

Në datë 15 nëntor, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë-Gjirokastër) ka kryer arrestimin në flagrancë të punonjësit të Policisë Inspektor D.P., me detyrë Trup Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Borsh. Ditën e djeshme, rreth orës 18:00 në qytetin e Sarandës, duke drejtuar automjetin e tij privat, ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Pas kryerjes së testit të alkoolit, ai rezultoi në gjendje të dehur në masën 1.1 mg/l. Nga aksidenti nuk ka patur persona të dëmtuar.

Materialet procedurale i kaluan për ndjekje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për veprën penale “Drejtim i automjetit në menyrë të parregullt”, njofton AMP.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë), në zbatim të Planit të Monitorimit mbi respektimin e normave dhe rregullave të etikës, kanë monitoruar efektivat e Policisë në gjithë rajonin që mbulon. Janë konstatuar në brendësi të një bar-kafe punonjësit e policisë të Komisariatit të Policisë Peqin, M.Z. dhe G.T., me funksion Ndihmës Specialist të Policimit në Komunitet duke konsumuar pije alkolike, veshur me uniformë të Policisë së Shtetit, në kundërshtim me rregullat e Etikës Policore dhe parashikimet në ligjin “Për Policinë e Shtetit”, duke kryer shkelje të rëndë disiplinore. Ndaj tyre do të rekomandohet fillimi i hetimit disiplinor pranë Komisionit Disiplinor në AMP.”