Vendosni fjalën kyçe....

Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve Gentiana Sula nderohet me “Çmimin e Mirënjohjes UET”: Rezultat i një pune kolektive


Kryetarja e Autoritetit të Dosjeve Gentiana Sula është vlerësuar me “Çmimin e Mirënjohjes UET”.

Vlerësimi erdhi me propozim të të Fakultetit të Shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare “Për kontributin e saj në ndërtimin e një institucioni modern, efikas dhe kritik, në ndërgjegjësimin e padrejtësive të së shkuarës në Shqipëri, në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe të unitetit kombëtar, përmes promovimit të të drejtave të njeriut, demokracisë, kulturës së transparencës dhe llogaridhënies”.

Presidenti i UET-së, Prof. Asoc. Dr. Selami Xhepa, e vlerësoi kontributin e kryetares së Autoritetit të Dosjeve Sula si shndërrues, transparent e demokratik.

“Historitë e vjetra nuk duhet të bëhen pengesë të sëardhmes. Jemi  ende vendi që nxjerr sot, pas 30 vjetësh, ca copa letrash në media për të demaskuar njerëz dhe këtë e bëjmë nëmënyrë diskriminuese. Por nuk është ky qëllimi i shoqërisë. Qëllimi i shoqërisë është të pastrojë vetveten dhe të shoh nga e ardhmja.” – tha Xhepa.

Kryetarja e Autoritetit, Dr. Gentiana Sula në fjalën e saj theksoi se puna e saj është pjesë e një grupi në rritje e brezave, që ëështë bërë pjesë e reflektimit shoqëror mbi diktaturën komuniste e dënimit të krimeve të komunizmit.

“Puna ime nuk është një punë e vetmuar, por e një grupi përherë në rritje e gjeneratave të larmishme, që është bërë pjesë e reflektimit shoqëror mbi diktaturën komuniste, dënimit të krimeve te komunizmit dhe nderimit për përpjekjet e pareshtura për demokraci e paqe shoqërore. Sigurimi pothuajse në pesë dekada kontrolloi në qelizë, jetën e çdo shqiptari, brenda dhe jashtë vendit, me qëllim ruajtjen e  pushtetit të një klike, përmes terrorit, mbikëqyrjes dhe përndjekjes. Gradualisht, por çdo dite po gjejnë përgjigje pyetjet që mbanin pezull vetëreflektimin shoqëror, për një jetë me të drejta njerëzore, për një shoqëri më demokratike, për një mjedis shoqëror në paqe e harmoni mes vetit.” – tha Sula.

 

Sula shtoi gjithashtu se çmimi është rezultat i një une kolektive ndërsa rrëfeu edhe tregimet mbi diktaturën dhe krimet e asaj kohe nga i ati.

“Më lejoni dhe një herë të theksoj se edhe pse ky është një çmim personal,  do të mbetet gjithmonë rezultat i një pune kolektive, që përfshiu jo vetëm kolegë që iu bashkuan institucionit por edhe të gjithë atyre që duke përdorur shërbimet e institucionit bënë të mundur rritjen e zhvillimin e tij organik në atë që është sot. Brezi im erdhi në ketë botë në kohën që kamp-burgu i Spaçit sapo ishte mbushur me “mish te freskët” dhe bëhej gati të hapte dhjetëra kilometra galeri bakri e piriti, që do mbanin më gjatë në këmbë diktaturën, Ndonëse puna me të shkuarën mori 10 vite nga karriera ime profesionale, pasojat e jetës në diktaturën komuniste unë nuk i mësova gjate punës sime. Në fakt unë u rrita me tregimet e kursyera mbrojtëse të tim eti: shpronësime, dënime të padrejta, vdekje të pahetuara. Trokitje të befta te kushërinjtë, funerale të vetmuar, shkollat e nxënëseve me të zellshëm që herë nuk dilnin apo mezi dilnin.” – shtoi Sula.

Puna e Autoritetit të Dosjeve u vlerësua nga Prof. Asoc. Dr. Nevila Nika e cila foli për punën e kujdesshme dhe delikate të bërë më shumë ndjeshmëri dhe përkushtim nga kryetarja Sula me dokumentet e arkivës dhe integrimin e tyre në procesin e kujtesës historike.

Ish-i përndjekuri politik Simon Mirakaj, vlerësoi punën profesionale të kryetares në drejtim të Autoritetit teksa pohoi: “Hapja e këtij Autoritetit është më shumë rëndësi për purifikimin e shpirtit. Ne jemi dëshmitarë që gjatëkëtyre viteve kemi dëgjuar akuza vend e pavend për njërit tjetrit ndaj krijimi i këtij institucioni i ka dhënë fund atyre akuzave.”

Autoriteti për Informimi mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit po punon në ndërgjegjësimin për padrejtësitë e krimet e kohës së diktaturës së shkuarës dhe promovimin e kulturës së të drejtave të njeriut dhe demokracisë në Shqipëri.

Duke i bërë publike dosjet, Autoriteti po ndihmon në drejtim të transparencës që krimet e së shkuarës të mos fshihen e harrohen.