Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka nisur një vizitë zyrtare në Moldavi. Balla zhvilloi këtë të enjte një takim me ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Moldavisë, Adrian Efros, ku firmosën dhe një marrëveshje për bashkëpunimin policor mes dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar.
Balla dhe Efros u dakordësuam lidhur me thellimin e bashkëpunimit ekzistues midis dy vendeve tona në të gjitha çështjet me interes të përbashkët.
Ndër të tjera, diskutuan aspiratën e kahershme të Shqipërisë dhe Moldavisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe gadishmërinë për të intensifikuar shkëmbimin e eksperiencave në kuadër të reformave të ndërmarra përgjatë procesit të integrimit europian.
“Marrëveshja e firmosur sot midis Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Moldavisë mbi bashkëpunimin policor është një hap i rëndësishëm për të rritur operacionet e përbashkëta policore dhe adresuar çështjet me rëndësi si krimi ndërkufitar, lufta kundër krimit të organizuar, trafikimit të lëndëve narkotike dhe qënieve njerëzore në funksion të rritjes së sigurisë së qytetarëve tanë. Gjatë takimit diskutuam edhe mbi aspiratën e kahershme të dy popujve tanë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian dhe gadishmërinë për të intensifikuar shkëmbimin e eksperiencave në kuadër të mekanzmave të rëndësishëm EUROPOL apo INTERPOL”, theksoi ministri Balla.