Vendosni fjalën kyçe....

Mungesa e ilaçeve jetëshpëtuese te onkologjiku, protestë para Ministrisë së Shëndetësisë


Qytetarët kanë protestuar mbrëmjen e sotme para ministrisë së Shëndetësisë për mungesën e ilaçeve jetëshpëtuese. Në derën e institucionit janë vendosur fletushka me shkrime të ndryshme nga qytetarët të cilët ankohen për mungesën e ilaçeve jetëshpëtuese në pavionin e onkologjikut.

“Tek onkologjiku 600 grave u mungon trajtimi për sëmundjen e kancerit. Nuk interesohet kush për çfarë ndodh në sistemin shëndetësor në Shqipëri. Ministret të mos merren me propagandën e facebookut, ku shkruajnë “shëndetësia falas, shëndetësia që duam”, realiteti është ndryshe, pyesni të afërmit në spitale. Nuk është kjo mjekësia që duam.

50 milionë lekë ka bërë tender ministria për mirëmbajtjen e makinave luksoze që ka. 20 milionë lekë për sistemin e ngrohjes dhe ftohjes. Patjetër që kjo duhet bërë por nuk mund të lihen vetëm fëmijët e prindërit që kanë nevojë për medikamentet jetëshpëtuese sepse nuk i sigurojnë dot në mënyrë tjetër”- u shpreh gazetari Osman Stafa i cili ishte gjithashtu i pranishëm në protestën para ministrisë së Shëndetësisë.

Qytetarët u shprehën se shumë prej këtyre medikamenteve, janë siguruar në mënyrë kontrabandë nga qytetarët të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda.