Presidenti Joe Biden u takua me Presidentin kinez Xi Jinping të mërkurën në periferi të San Franciskos, në prag të konferencës vjetore të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEC). Zoti Biden tha se ende e sheh udhëheqësin kinez si një “diktator”, por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anita Powell, të dy ranë dakord të rivendosin komunikimet ushtarake, të punojnë për të vlerësuar kërcënimet e mundshme nga inteligjenca artificiale dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të frenuar prodhimin e paligjshëm të fentanilit.
Në Kaliforni u mbajt një takim historik Lindje – Perëndim, pas 12 muajsh tensionesh dhe diplomacie intensive midis Pekinit dhe Uashingtonit.
Shtëpia e Bardhë zgjodhi këtë vend në periferi të San Franciskos për këtë takim simbolik, duke trajtuar një sërë çështjesh kyçe, përfshirë Tajvanin, ishullin vetëqeverisës, që Kina e pretendon si territor të sajin, rifillimin e komunikimeve ushtarake, mosmarrëveshjet e vështira tregtare, prodhimin e përbërësve të fentanilit në Kinë dhe çështjet e të drejtave të njeriut.
Presidenti Biden tha se foli hapur për këto tema.
Presidenti kinez tha se dy vendet, duan apo s’duan, janë të lidhura me njera tjetrën.
“Dy vende të mëdha si Kina dhe Shtetet e Bashkuara, nuk mund t’i kthejnë shpinën njëra-tjetres. Është joreale të presësh që njëra palë të ndryshojë tjetrën. Konflikti ka pasoja të mëdha për të dyja palët”, tha Presidenti kinez Xi.
Pyetja kryesore pas takimit ishte nëse presidentët e dy vendeve më të fuqishme të botës arritën të tejkalonin të çarat në marrëdhëniet mes tyre?
Presidenti Biden foli për shtypin më pas. Presidenti Xi, siç e ka zakon, nuk e bëri këtë, shkruan VOA.
“I mirëpres hapat pozitivë që kemi ndërmarrë sot. Është e rëndësishme që bota të shohë se ne po përdorim qasjen më të mirë në traditën e diplomacisë amerikane. Ne po flasim me konkurrentët tanë, po flasim hapur me njëri-tjetrin, që të shmangim keqkuptimet, një element kyç ky për ruajtjen e stabilitetit global dhe për t’i shërbyer popullit amerikan”, tha Presidenti Joe Biden.
Presidenti Biden megjithatë e përsëriti përgjigjen e dhënë më parë, që ka të ngjarë të shqetësojë Pekinin, se ai beson se Presidenti Xi është një diktator.
“Shikoni ashtu është, ai është diktator …”, tha Presidenti Biden.
Shumë nga ata që e ndoqën takimin thanë se nuk prisnin rezultate të mëdha, por ishin të kënaqur që të dy po bisedonin.
“Takimi midis presidentëve Biden dhe Xi për mua është kritik, sepse duhet të japë një mesazh të qartë, se ne jemi në gjendje të punojmë së bashku dhe t’i besojmë njëri-tjetrit për të zgjidhur problemet serioze si mjedisi, çështjet në Ukrainë, ose Gazë. Ka shumë çështje me rëndësi në botë për të cilat duhet të përpiqemi të punojmë së bashku”, tha Anwar Ibrahim, kryeministër i Malajzisë.
Analistët thonë se suksesi i takimit të APEC-ut që pritet të mbahet këtë javë në San Francisko, varet nga bashkëpunimi i dy ekonomive më të mëdha në botë.
“Unë mendoj se është një takim i rëndësishëm me qëllimin kryesor për të stabilizuar marrëdhëniet, ndërsa i afrohemi vitit 2024. Takimi ka rëndësi për marrëdhëniet dypalëshe, por edhe për rajonin e vendeve anëtare të APEC-ut. Vendet atje duan që SHBA dhe Kina të kenë marrëdhënie të qëndrueshme, veçanërisht në pritje të zgjedhjeve që do mbahen në Tajvan në janar dhe zgjedhjeve në SHBA në nëntor”, thotë Michael Froman, president i organizatës Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë.
Presidenti Biden tha se ai dhe Presidenti Xi do të vazhdojnë të komunikojnë dhe bashkëpunojnë. Bota, tha ai, e pret këtë.