Me 14 pikë, po aq sa ekipi i De Biasi-t, 8 vite më pas, Shqipëria siguron për herë të dytë në histori një biletë për në Evropian, por ky ekip i ndërtuar nga Sylvinho është ndryshe, ky kualifikim ka një shije të veçantë. “Shqiponjat” kuqezi fluturojnë drejt Gjermanisë me një super ekip, me shumë cilësi, një ekip që dominoi një grup me ekipe të mëdha si Polonia dhe Republika Çeke, po shkon në “Euro2024” si kokë grupi, me shifra fantastike.
Jo vetëm arritëm rekordin e De Biasit, por Sylvinho ka të gjithë shanset të thyejë “mitin” e italianit, kjo duket e pashmangshme pasi në dispozicion ka dhe një ndeshje, atë kundër Ishujve Farore. Të hënën në “Air Albania”, sfida me ishullorët është projektuar si një mbrëmje festive, pa presion dhe me kualifikimin në xhep, djemtë e Sylvinho jo vetëm do të përpiqen të marrin tre pikët, por dhe të dhurojnë spektakël, të përmirësojnë akoma më shumë pikët dhe shifrat e tyre.
Një xhiro përpara fundit, Shqipëria renditet në vendin e parë në Grupin E me 14 pikë, 12 gola të shënuar 4 të pësuar, sulmuesi dhe mbrojtja më e mirë e grupit. Për fat të keq, nuk arritëm dot të thyenim rekordin e Edy Reja-s me 18 pikë në një fushatë kualifikuese, por Sylvinho kishte më pas ndeshje në dispozicion. Ky është një detaj që ka pak rëndësi, pasi tani është koha për të festuar, është koha për të shijuar këtë ekip fantastik.