Kryeministri i Kosovës Albin kurti i ka drejtuar një letër shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michale Davenport, në lidhje me pretendimet e Serbisë se komuniteti serb në Kosovë duhet të përfshihet në zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
Në letrën drejtuar Davenport, Kurti shkruan se me Serbinë duhet të ketë një marrëveshje të veçantë që komunitetit serb në Kosovë t’i mundësohet marrja pjesë në zgjedhjet e Serbisë dhe ka theksuar se kjo marrëveshje duhet propozohet nga kjo e fundit si palë e interesuar, bazuar në sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës.
“Në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës, më lejoni t’ju tërheq vëmendjen edhe në kornizën e re ligjore, e cila është ndërtuar mbi praktikat më të mira evropiane dhe ndërkombëtare. Lidhur me të njëjtën, dhe në lidhje me çështjen e bashkëpunimit ndërshtetëror për votimin jashtë vendit, me qëllim që të mundësohet që qytetarët e komunitetit serb në Kosovë me shtetësi të dyfishtë të votojnë në zgjedhjet serbe jashtë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, është e nevojshme një marrëveshje e veçantë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kërkesa për këtë marrëveshje duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar. Dhe çdo kërkesë e tillë duhet të marrë për bazë sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës, si shtet i barabartë, në përputhje me nenin 2 të Marrëveshjes Bazë të arritur sivjet mes Kosovës dhe Serbisë. Me këto kushte inkurajojmë Serbinë që të negociojë një marrëveshje të tillë speciale me Republikën e Kosovës, duke zbatuar në këtë mënyrë edhe një detyrim tjetër të Marrëveshjes Bazë: të kontribuojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, në bazë të të drejtave të barabarta dhe respektit reciprok të të drejtat e votuesve jashtë vendit”, thuhet në letrën e plotë.
Zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Serbi do të mbahen më 17 dhjetor të këtij viti.