Ministrja e të Drejtave Sociale e Spanjës, Ione Belarra, kërkoi që të bëhet presion i shtuar ndaj Izraelit për të ndalur “gjenocidin e planifikuar” në Gaza.
Belarra mori pjesë në një marshim nga ambasada izraelite në Madrid drejt ambasadës amerikane për të protestuar kundër sulmeve në Rripin e Gazës.
Ajo githashtu u tha gazetarëve se sulmet e Izraelit janë një “gjenocid i planifikuar”, raporton media turke AA
“Që Izraeli të ndalojë asgjësimin e popullit palestinez, Spanja dhe qeveritë evropiane duhet të marrin masa shumë urgjente”, tha Belarra.
Hapi i parë për qeverinë e re spanjolle duhet të jetë ndërprerja e marrëdhënieve me Izraelin dhe bashkimi me një koalicion vendesh, të udhëhequr nga Afrika e Jugut, që po përpiqet të sjellë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP), tha ajo.
“Ne duhet ta ndalojmë këtë barbarizëm”, tha Belarra, duke shprehur nevojën urgjente që GJNP-ja të lëshojë një urdhër arresti për Netanyahun.
Izraeli filloi sulmet ajrore dhe më vonë një inkursion tokësor në Gaza pas një sulmi të befasishëm të 7 tetorit nga grupi i rezistencës palestineze, Hamasi.
Që atëherë, ai ka vrarë më shumë se 12.300 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, ka rrafshuar mijëra struktura civile dhe ka vendosur një bllokadë të plotë duke rezultuar në mungesë të furnizimeve si ushqime, karburant dhe ilaçe. Numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është rreth 1.200.