Vendosni fjalën kyçe....

OBSH: Evakuoni spitalin Al-Shifa në Gaza, është një ‘zonë vdekjeje’


Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka përshkruar spitalin al-Shifa në qytetin e Gazës si një ‘zonë vdekjeje’ pas një vizit.  Një ekip i përbashkët i OKB-së i udhëhequr nga OBSH vlerësoi spitalin për një orë pas pushtimit dhe evakuimit të tij nga ushtria izraelite.  Ekipi tha se zbuluan prova të bombardimeve dhe të shtënave me armë dhe vëzhguan një varr masiv në hyrje të spitalit.  Atyre iu tha se ajo mbante mbetjet e 80 vetëve, shkruan BBC.

Pas urdhërave të evakuimit të lëshuara nga ushtria izraelite, 300 pacientë me sëmundje kritike mbeten në al-Shifa, spitali më i madh dhe më i avancuar në Gaza.  OBSH tha se po përpiqej të rregullonte evakuimin urgjent të pacientëve dhe personelit të mbetur në struktura të tjera në Gaza dhe përsëriti thirrjet për armëpushim.  

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë i është përgjigjur një raporti në Washington Post i cili thoshte se Izraeli, Hamasi dhe SHBA ishin në prag të një marrëveshjeje që do të shihte lirimin e grave dhe fëmijëve të kapur nga Hamasi më 7 tetor në këmbim të një pauze pesë-ditore në luftime.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se ende nuk ishte arritur një marrëveshje e tillë, por po punonte shumë për të rënë dakord.  Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përjashtuar një armëpushim të plotë me Hamasin dhe tha se do të konsiderojë vetëm një armëpushim të përkohshëm në këmbim të kthimit të pengjeve të rrëmbyera nga grupi.