Partitë opozitare në Kosovë kundërshtojnë draftin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, të propozuar nga diplomatët europianë dhe amerikanë në 21 tetor. Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë të shqetësuara, siç thonë ato, për rrezikun që i kanoset vendit nga ky dokument.
Shkak për ndezjen e debateve është bërë një material i shpërndarë nga ish-kryeinspektori i AKI-së Burim Ramadani, për të cilin deputetët e partive opozitare thonë se është origjinali. Sipas tyre, në draft parashikohet autonomie për serbët në veri.
PDK ka paralajmëruar përmes deputetit Bekim Haxhiu dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, duke preferuar kështu rrugën ligjore përpara asaj të protestave, për të kundërshtuar veprimet e qeverisë. Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PDK, Abelard Tahiri duke akuzuar Albin Kurtin për mungesë transparence ngre shqetësimin se asociacioni do të krijojë një nivel të tretë pushteti.
Më kritik ndaj qeverisë Kurti është deputeti i AAK-së, Pal Lekaj i cili akuzon kryeministrin se po krijon Zajednicën në Kosovë.
Pas reagimeve të forta të opozitës ka ardhur reagimi i qeverisë Kurti. Zv/kryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator për dialogun me Serbinë, ka thënë se shqetësimet e ngritura se po krijohet një autonomi për serbët në veri përmes Asociacionit, janë të individëve që po shpërndajnë drafte dhe jo të qeverisë.