Vendosni fjalën kyçe....

PD: Mbështesim SPAK-un në hetimin ndaj Ilir Beqajt, të hetojë edhe aferat e tjera të qeverisë


PD-ja ka përshëndetur masën e sigurisë së SPAK-ut ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja Karabina tha se shqiptarëve u ka munguar drejtësia, ndërsa theksoi se PD-ja e ka denoncuar e para aferën në fjalë ndërsa i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë me profesionalizëm e korrektësi çështjen në fjalë.

“Partia Demokratike e Shqipërisë është e vendosur në mbështetjen e saj për çdo hetim dhe për çuarjen përpara drejtësisë të çdo zyrtari të korruptuar në këtë vend. Shqiptarëve u ka munguar drejtësia, ndaj ata presin të vërtetohen akuzat penale në mënyrë që të ndërpritet balta dhe tymnaja politike. Vetëm kështu mund të merret vesh e vërteta dhe koha e pandëshkueshmërisë të marrë fund. Dhënia e masës së sigurisë ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për koncensionin e sterilizimit, është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ne si Parti Demokratike jo vetëm që e kemi denoncuar të parët këtë aferë, por shprehim mbështetjen tonë maksimale për organin e akuzës dhe kërkojmë që çështja të hetohet me profesionalizëm dhe me korrektësi.” – tha Karabina.

Më tej ajo tha se PD-ja i kërkon SPAK-ut që të vijojë hetimet edhe në dosjet e inceneratorëve dhe aferave të tjera të shumicës.

“Ne si Parti Demokratike kërkojmë nga SPAK që njëkohësisht të vijohet me inceneratorët dhe aferat e tjera të kësaj mazhorance, të cilat ne vazhdimisht i kemi bërë publike. Dhënia e masës ndaj Ilir Beqajt, mikut të ngushtë të Edi Ramës, është treguesi më i qartë se kjo qeveri është e mbytur në zullume dhe në korrupsion. 40 hajdutët e mazhorancës kanë Edi Ramën në krye, ndaj çdo hetim dhe fillim çështjeje penale, në të vërtetë është ngushtim laku për shefin e tyre. Partia Demokratike si e vetmja forcë euro-atlantike inkurajon hetimet, shpreh mbështetjen e saj dhe siguron shqiptarët se do të vijojë të denoncojë aferat korruptive të kësaj qeverie.” – mbylli deklaratën Karabina.