Vendosni fjalën kyçe....

Sylvinho: 10 minutat e fundit me Moldavinë shumë të vështira, kemi një nga katër mbrojtjet më të mira në Evropë


Trajneri i kombëtares shqiptare Sylvinho pohoi mbrëmjen e sotme se synimi është ruajtja e vendit të parë në grup.

Shqipëria tashmë e kualifikuar luan nesër ndeshjen e fundit në grup ndaj Ishujve Faroe dhe për të mbajtu kryesimin ka nevojë për vetëm një pikë por mund ta mbajë atë edhe me humbje nëse Çekia nuk merr dot më shumë se një barazim ndaj Moldavisë në fushën e saj.

Braziliani tha se synimi i ndeshjes së nesërme është fitorja ndërsa u shpreh se ekipin e pret një punë e madhe përpara për t’u paraqitur si duhet në Euro2024.

“Vijmë në këtë sfidë në kushte shumë të mira. Dua të falënderoj shqiptarët dhe tifozët që na kanë mbështetur dhe kemi arritur këtu. Arritëm kualifikimin, festuam me tifozët dhe u kthyem këtu se kemi menduar vetëm për ndeshjen me ishujt farore, është ekip i vështirë. Objektivi ynë i dytë është të arrimë vendin e parë në grup se do ishte shumë bukur që të kishim mundësi që në short të kishim një mundësi tjetër. Duhet të bëjmë një paraqitje sa më të mirë dhe ta mbyllim me fitore” – tha Sylvinho.

Ai shtoi më tej nuk e shqetëson shorti dhe se nuk ka preferenca për të teksa vlerësoi mbrojtjen. Sylvinho tha se mbrojtja kuqezi është ndër katër më të mirat e turneut.

“Nuk më shqetëson shmangia e kundërshtarëve në short. Duhet të fitojmë jo për të shkuar në vazon e dytë. U kualifikuam një ndeshje para se të mbylleshin ndeshjet në grup dhe padyshim kjo është një gjë fantastike. Kemi shtatë ndeshje pa humbje dhe një mbrojtje solide, jemi në katër mbrojtjet më të mira të turneut. Ndaj nuk mendoj shumë për skuadrat që do të na japë shorti.” – shtoi braziliani.

Trajneri i kombëtares kuqezi tha se ndeshja me Moldavinë kishte qenë shumë e vështirë

“Ishte një ndeshje fizike, por mendërisht shumë e vështirë. Ishte hera e parë që zbritnim në fushë për kualifikim, ishte e vështirë të flije një natë më para, ishte shumë e vështirë. Ankthin e menaxhuam mirë. 10 minutat e fundit ishin shumë të vështira. Tani të shkojnë te objektivi i dytë. Janë 22 mijë persona që do vijnë nesër për të na dhënë mbështetje.” – tha Sylvinho.

Për ndeshjen e nesërme ai paralajmëroi ndryshime në formacion.