Vendosni fjalën kyçe....

Ndeshja Shqipëri – Ishujt Faroe, policia paralajmëron tifozët: Kontroll i rreptë, kërkojmë mirëkuptim


 

Shqipëri – Ishujt Faroe do luhet sot më 20:45 në “Air Albania”, për ndeshjen e fundit kualifikuese të Euro 2024 në grupin E.

Tanimë të kualifikuar për në fazën finale të “Gjermani 2024”, mbrëmja e sotme do jetë festive për 22 mijë shqiptarët në stadium, me policinë që ka bërë apel për kontrolle të rrepta.

Ndërkohë forcat speciale kanë marrë nën kontroll stadiumin, ku nuk kanë munguar edhe kontrollet me qen në shkallët e impiantit.

“Mbrëmja e sotme ku do të luhet ndeshja “Shqipëri – Ishujt Faroe”, në stadiumin “Air Albania”, është padyshim një mbrëmje festive për të gjithë shqiptarët. Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të aktivitetit sportiv, me qëllim që atmosfera festive e kësaj mbrëmjeje të mos venitet nga ndonjë incident.

Apelojmë për tifozët, sportdashësit dhe të gjithë qytetarët që të zbatojnë udhëzimet e Policisë, për bllokimim e rrugëve dhe rregullat për hyrjen në stadium, duke mos tentuar që të futin në stadium asnjë send të kundërligjshëm, pasi kontrolli do të jetë i rreptë, njësoj siç është vepruar në ndeshjet e tjera ndërkombëtare.

Gjithashtu, Policia ka marrë të gjitha masat edhe për festimet që do të zhvillohen pas ndeshjes, në sheshe, lokale dhe në rrugët e vendit, prandaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve, që të festojnë në mënyrë të kulturuar, që ta vulosim këtë fitore të kombëtares sonë, me vulën e imazhit më pozitiv të vendit”, njofton policia.