I krahasuar me Wolverine dhe Trump dhe i mbiquajtur “i çmenduri”, ish-eksperti televiziv është i njohur për premtimet e tij të pazakonta gjatë fushatës
Miqtë dhe armiqtë e presidentit të ardhshëm të Argjentinës e krahasojnë atë me kolegët e tij populistë të krahut të djathtë, ish-presidentin amerikan Donald Trump dhe atë brazilian Jair Bolsonaro.
Të tjerë e kanë quajtur ekonomistin me flokë të çmendur një përzierje të Boris Johnson dhe personazhit të njohur të filmave horror, kukullës vrasëse “Chucky”.
Por kur konsulentja e imazhit të Javier Milei konceptoi modelin e tij aspak të zakonshëm të flokëve, ajo kishte në mendje dy burra të ndryshëm: Elvis Presley-n dhe Wolverine.
“Ai duket si Wolverine. Ai vepron si Wolverine. Ai është si një anti-hero,” tha Lilia Lemoine, kongresmene në parlamentin, për aleatin e saj anti-establishment gjatë një interviste në Buenos Aires.
“Wolverine është shumë besnik dhe i guximshëm…Ai mund të çmendet vërtet dhe të jetë agresiv me armiqtë e tij, por vetëm kur sulmohet. Ai kurrë nuk do e vrasë dikë ose nuk do të sulmojë dikë pa arsye”, tha 43-vjeçarja, duke këmbëngulur se Milei kishte gjithashtu një anë më të butë.
“Ai është i adhurueshëm,” pohoi Lemoine në një intervistë parazgjedhore, duke e quajtur libertarianin e ekstremit të djathtë “njeriun më të kërkuar në Argjentinë për momentin”.
Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Një biografi e paautorizuar e Milei-t, i cili të dielën mundi rivalin e tij peronist në zgjedhjet më të rëndësishme të Argjentinës në dekada, e përshkruan atë si një person të vetmuar, të çuditshëm që ka vuajtur në fëmijëri nga abuzimi prindëror dhe ngacmimi në shkollë gjatë viteve 1980 dhe iu dha pseudonimi El Loco (I çmenduri).
“Më shumë se idetë e Mileit, ajo që më shqetëson është gjendja e tij shpirtërore dhe stabiliteti emocional”, tha autori i librit, Juan Luis González.
Një adhurues i muzikës, Milei ishte këngëtari kryesor i një grupi të quajtur “Everest” dhe, sipas Lemoine, gjithashtu dëgjon Bob Marley-n dhe muzikën e komopozitorit të njohur klasik italian Verdi.
“Ai e do operën. Ai këndon opera. Megjithatë nuk ia thotë shumë, por mos e shënoni këtë që thashë”, pohoi ajo.
Milei ishte më i suksesshëm si një personalitet mediatik, duke fituar famë si një ekspert ekonomik në shfaqjet televizive argjentinase ku ai do të shprehej si për mjerimin e inflacionit ashtu edhe për gëzimin e seksit tantric.
“Çdo njeri ka dinamikën e tij. Në rastin tim të veçantë, unë ejakuloj çdo tre muaj,” u mburr Milei një herë në transmetim.
Deklarata të tilla të forta dhe prirja e Milei-t për të tërhequr vëmendjen për shpërthime të tilla, e bënë atë një emër të njohur dhe e ndihmuan atë të fillonte një karrierë në politikë rreth pesë vjet më parë.
Ekonomisti libertarian u zgjodh në Kongres në vitin 2021 për partinë e tij “La Libertad Avanza” dhe u zgjodh president këtë javë pas një votimi dërrmues në favor të tij.
Votuesit e zemëruar për korrupsionin dhe keqmenaxhimin, i dha suksesin e fortë duke e zgjedhur kryetar shteti ndërkohë që vendi përballet me krizën më të keqe ekonomike prej dekadash.
“Vota përfaqëson një përpjekje të dëshpëruar për diçka të re, çfarëdo që të ndodhë,” tha Benjamin Gedan, një specialist argjentinas nga “Wilson Center”.
“Opsioni që kishin votuesit ishte më shumë i njëjtë, ose të vijonin me kushtet katastrofike ekonomike ose një bast radikal për një të ardhme potencialisht të ndritshme me shumë rreziqe.”
Gedan besonte se do kishte “shumë pendesë në Argjentinë” nëse Milei do ndiqte qoftë edhe një pjesë të vogël të ideve të tij.
Këto ide përfshijnë legalizimin e shitjes së organeve njerëzore, uljen në mënyrë dramatike të shpenzimeve sociale, nënvlerësimin e krimeve të diktaturës së Argjentinës 1976-83 dhe ndërprerjen e lidhjeve me dy partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Argjentinës, Brazilin dhe Kinën.
Gjatë fushatës, Milei u zotua të shfuqizojë Bankën Qendrore të Argjentinës dhe të dollarizojë ekonominë dhe përdori një sharrë elektrike që synonte të simbolizonte shkurtimet e egra që ai beson se do ndihmojnë në stabilizimin e ekonomisë dhe frenimin e inflacionit të shfrenuar.
Biografia e Milei-t sugjeron se disa nga ato ide mund të kenë ardhur nga pesë qentë e tij të klonuar mastiff, të cilët janë emërtuar sipas ekonomistëve, përfshirë Murray Rothbard dhe Robert Lucas.
“Ata janë dy metra të gjatë, peshojnë 100 kg…Ai i quan fëmijët e tij me katër këmbë”, tha Lemoine, duke qeshur me pretendimet se lideri i ardhshëm i Argjentinës merr këshilla politike nga qentë e tij.
Shumë ekspertë besojnë se Milei do të detyrohet të moderohet pasi të marrë pushtetin muajin e ardhshëm dhe do përballet me sfida të vështira për të zbatuar propozimet e tij të diskutueshme. Partia e Milei-t kontrollon vetëm 38 nga 257 vendet në dhomën e ulët të Argjentinës dhe 8 nga 72 në senat.
Por të dielën mbrëma Milei tregoi pak shenja të zbehjes së vizionit të tij për ekonominë e dytë më të madhe të Amerikës së Jugut.
“Ndryshimet që i duhen këtij vendi janë drastike”, deklaroi ai, duke përdorur moton e ish-presidentit amerikan Trump në SHBA, për ta bërë Argjentinën sërish të madhe.
Edhe para se të arrihej fitorja e Milei-t, Lemoine tha se ishte e sigurt në fitoren e tij.
“Jam e lumtur sepse e pashë që herët. Është mirë të dish që kishe të drejtë edhe atëherë kur askush nuk besonte në të”, tha ajo.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e The Guardian
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani