Uashingtoni njoftoi për paketën e re të ndihmës me armë dhe pajisje për Ukrainën. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ai i Mbrojtjes, Lloyd Austin, i thanë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se SHBA-ja do t’i ofrojë mbështetje afatgjatë Ukrainës, teksa ky shtet po vazhdon të luftojë kundër trupave ruse.
Paketa, në vlerë prej 100 milionë dollarësh, përfshin armë dhe pajisje që ishin autorizuar më herët, tha Blinken përmes një deklarate. Aty përfshihen Sisteme Raketore të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë (HIMARS) dhe municione shtesë.
Kjo paketë “do të ndihmojë që të përmbushen nevojat e menjëhershme në fushëbetejë të Ukrainës, përderisa shteti lufton për të rimarrë territorin e tij sovran”, tha Blinken, duke shtuar se është kritike që Kongresi amerikan të ndërmarrë hapa për të miratuar kërkesën e presidentit Joe Biden, për financim shtesë për Ukrainën.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, arriti në Kiev më 20 nëntor në një vizitë të paparalajmëruar. Vizita kishte për synim të tregonte mbështetjen për Ukrainën mes shqetësimeve “për lodhje nga lufta” të aleatëve perëndimorë të Ukrainës, veçmas të SHBA-së, që është shteti që ofron ndihmën më të madhe ushtarake dhe financiare për Ukrainën.
Ukrainasit u druhen lodhjes nga lufta dhe vëmendjes së botës te Gaza
“Isha i nderuar që takova presidentin Zelensky sot në Kiev për të riafirmuar mbështetjen e SHBA-së. Ne, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, do të vazhdojmë të mbështesim nevojat urgjente që ka Ukraina në fushëbetejë dhe për kërkesat afatgjate të mbrojtjes”, tha Austin në një postim të publikuar në X, që më herët njihej si Twitter.
Zelensky tha se kjo vizitë “është sinjal shumë i rëndësishëm për Ukrainën”, duke shtuar se “ne ende llogarisim në mbështetjen tuaj”.
Uashingtoni i ka dhënë dhjetëra miliarda dollarë ndihmë ushtarake dhe ndihmë tjetër Ukrainës, që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të këtij shteti shkurtin e vitit të kaluar.
Qeveria amerikane disa herë ka përsëritur se do të mbështesë Kievin për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Megjithatë, shqetësimet janë rritur lidhur me vazhdimin e mbështetjes së SHBA-së për shkak të disa ligjvënësve republikanë në Kongres.
Ndihma e mëtejme financiare për Ukrainën nuk u përfshi në projektligjin e përkohshëm të miratuar nga Kongresi amerikan javën e kaluar. Ky projektligj mundësoi shmangien e mbylljes së Qeverisë amerikane, shkruan REL.