Vendosni fjalën kyçe....

Sot seanca në Kuvend për Buxhetin, opozita premton aksion, shumica kërkon zgjidhje alternative


Ditën e sotme në orën 10:00 është caktuar seancë Parlamentare ku do diskutohet projekt-buxheti për vitin 2024.

Opozita ka paralajmëruar se do vijojë me aksionin e tyre për bllokimin e seancës derisa sa shumica të plotësojë kërkesat e tyre.

Ndërkohë edhe shumica socialiste mendon për zgjidhjet e ngërçit nëse në Kuvend do ketë kaos.

Një foto e publikuar gjatë fundjavës së kaluar ishte një skenar se si garda do rrethonte opozitën që të mos shkonte te deputetët socialistë për t’i pamundësuar atyre diskutimet apo edhe votimin.

Në rast se pamundësohet votimi, gjasat janë që seanca të ndërpritet dhe deputetët e maxhorancës të rikthehen të martën për votimin në parim. Nuk përjashtohet as mundësia e një seance online, me deputetë të grumbulluar në kryesinë e Kuvendit, larg sallës së seancave plenare ku opozitarët e Rithemelimit do të vënë në jetë planin e tyre.

Në mesin e pikëpyetjeve për seancën e projektbuxhetit është edhe prezenca e kryeministrit Edi Rama, i cili një vit më parë, pati vetë në seancë peshën kryesore të replikave me Partinë Demokratike, në një seancë maratonë që zgjati 12 orë.

Edhe grupi opozitar që nuk mbështet aksionin, ai i PD zyrtare me Lulzim Bashën dhe deputetët e pakët që e mbështesin, e kanë në pikëpyetje prezencën e tyre në sallë. Ata kanë propozuar 8 amendamente, ndaj prezenca e tyre pritet vetëm nëse do të gjendet hapësira për ta diskutuar buxhetin.