Vendosni fjalën kyçe....

Avokati i Malltezit, Gjokutaj: Procesi është politik, edhe arresti në shtëpi i pa mbështetur në ligj


Avokati i Jamarbër Malltzit, Genc Gjokutaj, pohoi mbrëmjen e sotme se procesi ndaj klientit të tij është kryekëput politik.

I ftuar në emisionin ‘Debat’ në A2 CNN, ai tha se vendimi i Apelit të Gjykatës së Posaçme për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Malltezit është një kopje e keqe e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe se për të dyja masat nuk kanë argumentim ligjor.

“Gjykata dha sot vetëm dispozitivin e vendimit dhe jo argumentimin. Vendimi është një kopje e keqe e shkallës së parë. Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv, për cilësi që ai nuk e ka pasur asnjëherë në jetën e tij. Kështu që arresti me burg dhe arresti në shtëpi nuk kanë asnjë argumentim ligjor. Ky është një proces politik, i cili është i vështirë juridikisht e ligjor për t’u rrëzuar por i lehtë për t’u dekriptuar.” – tha Gjokutaj.

Ai tha më tej se çështja është trajtuar me subjektivitet dhe se gjyqtarja Irena Gjpka është në konflikt interesi me Sali Berishën e nuk mund të shqyrtojë çështjen ndaj tij pasi është shkarkuar nga Berisha vite me parë.

“Kjo çështje është trajtuar me subjektivitet, gjyqtarja Irena Gjoka ka konfliktin më të pastër të interesit me Sali Berishën që  është shkarkimi i saj. Ligji nuk lejon që gjyqtarja të cilën pala mbrojëse kërkon të mos jetë në krye të seancës, të marrë vendim deri në shqyrtimin e kërkesës. Do ndjekim të gjithë hapat ligjorë të mundshëm.” – shtoi Gjokutaj.