Vendosni fjalën kyçe....

Bamir Topi komenton zhvillimet e fundit: Ku ka opozitë, kjo s’është opozitë, ndonjëherë më mirë që s’ka…


Ish-presidenti Bamir Topi tha mbrëmjen e sotme se opozita ka prekur fundin. I ftuar në emisionin ‘Frontline’ në Report Tv ai tha se vendi nuk ka më opozitë.

Ai komentoi ngjarjet e fundit në Kuvend duke thënë se deputetët e opozitës e kanë ulur aq poshtë përfaqësimin sa shkojnë atje për t’iu gëzuar rrogës.

“Ka shkuar në fund, ku nuk ka limit. Ku ka opozitë… Kjo nuk është opozitë. Ndonjëherë më mirë pa opozitë se e çon shtetin në autoritarizëm e monoparti dhe e marrin në dorë njerëzit… Secili kërkon të fitojë protagonizëm. E kanë ulur aq poshtë përfaqësimin sa shkojnë për t’iu gëzuar rrogës dhe një personaliteti fals.” – tha Topi.

Ish-kreu i shtetit shtoi më tej se në Kuvend ka aktualisht dy banda, ajo e pushtetit dhe ajo e opozitës.

“Është rrjedhë e një sëmundjeje relativisht të gjatë dhe kronike që ka përfshirë politikën shqiptare dhe parlamenti është institucioni më përfaqësues i politikës. Shohim dy banda në atë institucion që duhet të ishte i fjalës së lirë i respektimit të ligjit i komunikimit me publikun. Kemi bandën e pushtetit dhe bandën e opozitës. Diagnoza duhet treguar drejt. Në një eksperiencë të gjatë parlamentare kurrë nuk e kam parë parlamentin kështu, ndonëse ka pasur dhe ngjarje tragjike deri në plagosje, kurrë s’ka qenë kështu. Kam menduar se këto mendje do emancipoheshin por po rrëshqasin keq e më keq.” – tha Topi.