Vendosni fjalën kyçe....

Biden: Arritja e marrëveshjes për lirimin e disa pengjeve është shumë afër


Presidenti amerikan, Joe Biden, tha të martën se është “shumë afër” arritja e një marrëveshjeje për lirimin e disa pengjeve që po mbahen nga Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Presidenti amerikan tha se kishte shpresë se disa nga pengjet do të kthehen në familjet e tyre “shumë shpejt”.

“Ekipi im është në rajon duke lëvizur midis kryeqyteteve. Tani jemi shumë afër, shumë afër, për të sjellë disa prej këtyre pengjeve në shtëpi shumë shpejt. Por nuk dua të hyj në detaje, sepse asgjë nuk bëhet derisa të bëhet. Biden u tha gazetarëve përpara një ngjarjeje në Shtëpinë e Bardhë për trajtimin e trafikimit të fentanilit.

Biden tha se nuk dëshiron të komentojë më shumë për këtë, për shkak të natyrës së ndjeshme të çështjes.

Deklarata e Bidenit vjen pasi zyrtarë të Hamasit thanë se shumë shpejt mund të arrihet një marrëveshje për lirimin e pengjeve. Ndërkaq, zyrtarët izraelitë njoftuan se do të mbajnë të martën diskutime të nivelit të lartë për çështjen e pengjeve.