Superylli i futbollit Lionel Messi nuk është i panjohur për thyerjen e rekordeve dhe ai ndoshta do shtojë një tjetër në listë.
Gjashtë fanellat që ai veshi gjatë Kupës së Botës të vitit të kaluar, të cilin e fitoi Argjentina, do nxirren në ankand nga Sotheby’s javën e ardhshme. Konkretisht, fanellat janë veshur nga kapiteni argjentinas gjatë çdo faze të turneut njëmujor, përfshirë edhe finalen kundër Francës.
Shtëpia e ankandeve pret që ofertat të jenë mbi 10 milionë dollarë, me shitjen që mund të bëhet një nga “koleksionet më të vlefshme të relikeve sportive në ankand”, tha ajo.
Nëse arrihet, çmimi për kompletin do kalonte një fanellë të veshur nga Michael Jordan në ndeshjen eparë të finales së NBA-së në vitin 1998 nga sezoni i tij i famshëm “Last Dance”, që u shit për 10.1 milion dollarë në Sotheby’s vitin e kaluar.
Rekordi për një send nga futbolli mbahet nga legjenda Diego Maradona me fanellën e tij në çerekfinalen e Botërorit të vitit 1986 ndaj Anglisë, që u shit për 9.3 milionë dollarë vitin e kaluar.
Deri sot, fanella më e shtrenjtë e Messit e shitur në një ankand ishte për 450,000 dollarë vitin e kaluar, të cilën ai e veshi gjatë ndeshjes El Clasico në vitin 2017, ndaj Realit të Madridit. Goli i minutës së fundit i Messit, i 500-ti në karrierën e tij, solli fitoren e Barcelonës.
Ankandi online për fanellat e Messit zgjat nga 30 nëntori deri më 14 dhjetor dhe do shfaqet gjatë asaj kohe në një ekspozitë falas në galerinë Sotheby në Nju Jork.