Udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh konfirmoi të martën se arritja e marrëveshjes së armëpushimit me Izraelin është “afër”, raporton Anadolu.
“Lëvizja ua ka kthyer përgjigjen vëllezërve të saj në Katar dhe ndërmjetësve dhe ne po i afrohemi një marrëveshjeje armëpushimi“, tha Haniyeh në Telegram pa dhënë detaje të mëtejshme.
Vlen të përmendet se disa të afërm të pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi u tërhoqën nga takimi me anëtarët e qeverisë izraelite mbrëmjen e së hënës, sipas AA.
E përditshmja izraelite “Haaretz” raportoi se “shumë të afërm të izraelitëve që po mbahen peng nga Hamasi në Gaza u tërhoqën nga takimi me anëtarët e qeverisë së luftës të hënën, duke shprehur zhgënjim kur iu tha se qëllimet për lirimin e pengjeve dhe mposhtjes së Hamasit janë njësoj të rëndësishme”.
Që nga fillimi i bombardimeve izraelite në Gaza pas një sulmi të befasishëm të 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, të paktën 13 mijë palestinezë janë vrarë, përfshirë mbi 9 mijë gra dhe fëmijë ndërsa më shumë 30 mijë janë plagosur, sipas të dhënave të fundit nga autoritetet palestineze.
Gjithashtu mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha janë dëmtuar ose shkatërruar në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar.
Bllokada izraelite ka ndërprerë furnizimet me karburant, energji elektrike dhe ujë për Gazën dhe ka reduktuar dërgesat e ndihmave në një sasi të vogël.
Sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë është rreth 1.200.
Tel Avivi deri më tani ka refuzuar thirrjet në rritje për një armëpushim deri në lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi.