Autoritetet izraelite kanë dhënë një dritë jeshile për përfundimin e një marrëveshjeje të shkëmbimit të të burgosurve dhe tani janë në pritje të një përgjigjeje nga grupi palestinez Hamas, raportoi media shtetërore izraelite të hënën.
Sipas transmetuesit publik KAN, Izraeli është më afër se kurrë më parë për arritjen e një marrëveshjeje të shkëmbimit të të burgosurve.
Ai shtoi se “tani topi është në fushën e Hamasit” dhe se nëse grupi përgjigjet pozitivisht, një marrëveshje me të burgosurit do të jetë “e arritshme”.
Të hënën herët, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare John Kirby tha se SHBA vazhdon të punojë për lirimin e robërve izraelitë në Gaza.
“Ne jemi shumë afër dhe shpresojmë se mund të arrihet një marrëveshje, por ka ende punë për të bërë”, tha ai.
Sipas vlerësimeve zyrtare izraelite, rreth 240 persona janë mbajtur në robëri në Gaza që nga 7 tetori.
Brigada Al-Qassam e Hamasit, nga ana e saj, tha në një deklaratë të mëparshme se mban në robëri rreth 200-250 njerëz, duke përfshirë ushtarë dhe civilë izraelitë, por më vonë njoftoi se një numër prej tyre u vranë gjatë sulmeve ajrore izraelite në Gaza.