Vendosni fjalën kyçe....

Ministri grek Stavros Papastavrou, pritet të takohet me Fredi Belerin në burgun e Durrësit   


Ministri i Shtetit, Stavros Papastavrou, pritet të  takohet me kryetarin e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg.  Takimi do të zhvillohet në mesditë në burgun e Durrësit, ku ai është burgosur për gjashtë muajt e fundit, shkruan Protometha.

Vizita bëhet duke pasur parasysh vazhdimin e gjyqit të tij nesër, me qëllim që të shprehë edhe një herë mbështetjen e tij.

Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Zoti Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka folur për një akt me sfond politik. Kërkesat e tij të herëpasherëshme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit, të cilave ai u është drejtuar sërish me të njejtën kërkesë.

Arrestimi i tij ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Kjo e fundit ka kërkuar lirimin e tij, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e njeriut dhe ato të të pakicave, si dhe duke kërcënuar me bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.