Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku folur mbi buxhetin e vitit 2024 që u miratua dje në një seancë të pazakontë, në vetëm 5 minuta seancë plenare. Në një deklaratë për mediat, Tabaku theksoi se buxheti nuk është në interes të qytetarëve, ndërsa shtoi se shqiptarët do të paguajnë thuajse 70 milionë euro taksa më shumë.
Sipas Tabakut, 145 milionë euro më shumë shkojnë për PPP dhe koncesione, që sipas saj gjysma e tyre janë nën hetim nga SPAK.
“Qeveria ka miratuar buxhetin 2024 në një seancë që nuk pati një debat të drejtë dhe të ndershëm për të kuptuar çfarë ofron buxheti për familjet e shqiptarëve. Prandaj, besoj është e udhës që shqiptarët të mësojnë dhe kuptojnë se përse ky buxhet i miratuar nuk është në interesin e qytetarëve që do të paguajnë thuajse 70 mln euro më shumë taksa. Në dhjetë vite të buxheteve socialiste, 95% e shqiptarëve u është ngarkuar mbi 3 mld euro. Ndërkohë që një pakicë e vogël ka përfituar favore fiskale që kanë krijuar një skemë pabarazie dhe pandershmërie. Shtresa e mesme paguan sot për sot barrën më të madhe fiskale ndërkohë që një grusht kompanish përfitojnë lehtësira fiskale, paguajnë një pjesë shumë të ulët të kësaj rritje. Skema e taksimit progresiv socialist ka inxhinieruar një sistem të pandershëm taksimi. Një biznes i madh në fushën e hotelerisë paguan një TVSH të reduktuar për produktet që shet në ambientet e saj ndërkohë që një biznes i mesëm do të duhet të paguajë 20% TVSH-në për produktet që shet në ambientet e tij. Një hotel me 5 yje paguan një taksë të reduktuar për fitimin ndërkohë që bizneset e AirBnB që ndikojnë në rritjen e të ardhurave familjare për një shtresë të mesme paguajnë deri në 23%. Një biznes i madh paguan 15% tatimin mbi fitimin ndërkohë që një profesionist i lirë, shtresës së mesme, do të paguajë deri në 23% nga 1 janari 2024.
E gjitha kjo ka prodhuar një ekonomi informale dhe ka incentivuar shpikjen e metodave dhe formave për t’i ikur këtij sistemi të padrejtë taksimi duke i bërë keq buxhetit të shtetit, ekonomisë dhe padyshim edhe vetë qytetarëve. Në vitin 2013 taksimi progresiv krijoi një sistem të pandershëm që flasim sot, sidomos shtresa e mesme, iu ngarkua një barrë progresive që u shit si taksim i drejtë. Në fakt prodhoi pandershmërinë e një qeverie që parashtroi argumentet e saj për këtë sistem të pandershëm socialist taksimi. Qytetarët nisën që t’i shmangeshin duke kaluar në informalitet apo duke hapur NIPT-e që i kushtojnë sot ekonomisë 30% të PBB. Një qeveri që ngre një sistem të padrejtë ndershëm nuk takson vetëm më të pafuqishmit por favorizon ato pranë vetes. Kështu nga viti 2015 qeveria ka nisur që të favorizojë vazhdimisht një grusht të vogël që zotërojnë gjithçka dhe ofrojnë thuajse kurrgjë PBB-së sonë. Të ardhurat për frymë të vendit janë ende më të ulëtat, ndërkohë që fuqia blerëse e shqiptarëve në raport me rajonin është ende e fundit. Pra për çfarë ka shërbyer vizioni ekonomik i qeverisë në këto dhjetë vite? Për të varfëruar shqiptarët, për të ndërtuar një sistem të pandershëm taksimi dhe për të incentivuar një ekonomi informale”, u shpreh Tabaku.