Vendosni fjalën kyçe....

VIDEO/ Ertjan Kofsha shpallet kampion bote për të rinj në peshëngritje


Ertjan Kofsha ka shënuar rezultate të larta në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes U-20 që po mbahet në Guadalahara të Meksikës. Talenti shqiptarë në shtanga ka bërë paraqitje fantastike në garën e zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm, teksa ka arritur të fitojë medalje ari në stilin e shkëputjes në kategorinë e peshave 89 kg.

Kofsha arriti në të kaloi me sukses tri provat me 152, 156 dhe 159 kg, duke u shpallur kampion bote me rezultatin 159 kg, për ta ngjitur flamurin kuqezi në shkallën më të lartë të podiumit.

Për sa i përket stilit të shtytjes, peshëngritsi dështoi dy provat e para me 186 kg, rezultat të cilin e realizoi me sukses në provën e tretë, duke u renditur në vend të gjashtë. Ndërkohë me 345 kg në total, Ertjani u klasifikua në vend të katërt në dygarësh.

Peshëngritësi shqiptar, vetëm 18 vjeç, ishte më i vogli në moshë në Baterinë A, por kjo nuk e pengoi aspak të tregonte forcën ndaj rivalëve. Kujtojmë që Kofsha udhëtoi në Meksikë pa trajnerin e tij, Leonard Toska.

Rolin e teknikut e bëri presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza. FSHP njoftoi se mungesa e Toskës në këtë aktivitet erdhi për shkak se trajneri nuk arriti të merrte vizën nga ambasada meksikane.